Xhihadistët e ISIS rrënojnë xhamitë në Irak (Foto)

Sekti islamik militant, ISIS, i cili pushtoi veriun dhe perëndimin e Irakut muajin e kaluar, ka prishur tempuj të shenjtë dhe xhami të ndryshme rreth qytetit historik verior Mosul. 

Bota

06/07/2014 00:28

Fotografitë nga zona, të postuara në internet tregojnë shembjen e tempujve dhe xhamive, të cilat janë kthyer në një grumbull rrënojash. 

Shumica e tyre janë objekte fetare shiite, të cilat u rrafshuan me buldozerë. 

Të paktën katër tempujt sunite arabe apo sufiste janë shkatërruar nga buldozerë, sipas AFP. Objektet ishin të ndërtuara rreth varreve të shenjtorëve muslimanë. Gjashtë xhami shiite gjithashtu janë shkatërruar me mjete eksplozive. Xhihadistët kanë premtuar edhe rrënimin e Qabes në Mekë, pasi ata janë kundër idesë që objektet të adhurohen nga njerëzit. 

“Ne ndihemi shumë të pikëlluar për prishjen e këtyre vendeve të shenjta, të cilat ne i kemi trashëguar nga etërit dhe gjyshërit tanë” tha për AFP, 51-vjeçari Ahmet banor i Mosulit.

“Ato ishin monumente të qytetit” tha ai. 

Banorët vendas kanë treguar se janë shkatërruar edhe katedrale. Katedralja Chaldean në Mosul dhe katedralja ortodokse siriane janë rrënuar dhe aty është vendosur flamuri i zi i shtetit islam. 

Qyteti Tal Afar, rreth 70 km në perëndim të Mosulit, ishte në shënjestër gjithashtu ku u hodh në erë tempulli shiit Huseiniya. 

Një nga tempujt ishte tentuar të mbrohet nga synimet shkatërruese më 24 qershor. 

“Dhjetëra burra, gra dhe fëmijë formuan një mur të njeriut dhe rrethuan faltoren e shenjtë të Sheikh Fathi në al-Mushahada të Mosulit, për të penguar terroristët të ndërhynin në të”, tha Ibrahim al-Hassan Al-Shorfa menjëherë pas incidentit. 

Faltorja e shenjtë Sheikh Fathi në Mosul, që daton nga viti 1760, ishte midis atyre të shkatërruarave. 

Mosul u mor nën kontrollin e terroristëve më më 10 qershor, kur militantët sunitë përzunë ushtrinë e Irakut nga qyteti. Mijëra civilë ikën pasi xhihadistët morën kontrollin e qytetit në luftë kundër shumicës shiite të Bagdadit të qeverisur nga kryeministri Nuri al-Maliki. 

Maliki është betuar për t’i mundur xhihadistët. Të premten ai deklaroi publikisht se nuk do të ndalet së luftuari ata derisa t’i dëbojë nga Iraku. 

“Unë i kam premtuar Perëndisë, që do të vazhdojë të luftojë me forcat tona të armatosura dhe vullnetarët, derisa t’i mposhtim armiqtë e Irakut dhe popullit të tij”, tha ai.

(lajmi.net)