Williamson: Tribunal pa gjyqtarë kosovarë

Prokurori amerikan, Clint Williamson, ka thënë se çështja e Tribunalit për UÇK’në duhet të përfundojë me konsensus, në mënyrë që çështja të mos shkojë deri në OKB. Williamson do Tribunal pa gjyqtarë kosovarë.

Lajme

12/03/2014 09:43

Prokurori i ‘organeve’, amerikani Clint Williamson ia ka bërë me dije zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, se tribunali për t’i hetuar akuzat ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të përbëhet kryesisht nga ndërkombëtarët, për të qenë më objektiv dhe më i paanshëm, shkruan “Zëri”.

Ai ka thënë se çështja e tribunalit duhet të përfundojë me konsensus brenda Prishtinës në mënyrë që çështja të mos shkojë deri në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prokurori Williamson, i njohur më shumë si hetues i trafikimit të organeve në “Shtëpinë e Verdhë” i shoqëruar nga shefi i Misionit të EULEX’it, Bernd Borxhardt, ka takuar zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Kuçi i cili disa herë është deklaruar kundër tribunalit, ai në takimin e fundit nuk e ka kundërshtoi atë, por kërkoi që hetimi ndaj ish-guerilëve të mos bëhet jashtë vendit, por brenda Kosovës.

Takimi ndërmjet tyre ishte i mbyllur për media, por siç ka mësuar “Zëri”, nga burimet e saj, në takim, prokurori amerikan ka insistuar që tribunali të jetë i përbërë vetëm nga gjyqësorë ndërkombëtarë, krejtësisht jashtë mekanizmave të gjyqësorit vendor, në mënyrë që hetimet të jenë të paanshme, shkruan kjo gazetë.