WikiLeaks: Djali i Osama Bin Laden kërkoi certifikatën e vdekjes së babait
Djali i Osama Bin Laden ka kërkuar në SHBA një certifikatë vdekjeje për kreun e AL-Kaedas, vrarë në vitin 2011 në Pakistan nga US Navy Seals, trupat e elitës së Marinës amerikane, sipas një dokumenti të publikuar nga WikiLeaks.
Bota
Një letër e ambasadës amerikane në Riad lidhur me këtë kërkesë bën pjesë mes rreth 70 000 dokumenteve të quajtura “kabllograme saudite”, që Wikileaks ka publikuar të enjten në faqen e saj të internetit.
Wikileaks thekson se këto dokumente bëjnë pjesë në më shumë se një milionë e gjysmë kabllograme dhe dokumente të Ministrisë saudite të Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera të mbretërisë që synon t’i publikojë në javët e ardhshme.
Letra është nënshkruar nga Glen Keiser, konsull i përgjithshëm i SHBA-së në Riad dhe drejtuar Abdallah Bin Laden më 9 shtator 2011, rreth katër muaj pas sulmit amerikan kundër babait të tij.
“Kam marrë kërkesën për një certifikatë për vdekjen e babait tuaj, Osama Bin Laden”, shkruan Keiser.
Ai shtoi se ekspertët ligjorë të departamentit të Shtetit kishin nënshkruar se një dokument i tillë nuk ishte lëshuar. Bëhet fjalë për një praktikë të zakonshme për individët e vrarë në operacionet ushtarake.
Në vend të një certifikate vdekje, Keiser i kishte dhënë Abdallah Bin Laden dokumente të drejtësisë amerikane në të cilat zyrtarët konfirmonin vdekjen e babit të tij.
Djalë i një familjeje të pasur saudite, Osama Bin Laden hoqi dorë nga kombësia saudite në vitin 1994.
Ai ishte gjithashtu truri i atentateve të 11 shtatorit 2001 në SHBA ku rreth 3 000 persona u vranë, 2 753 prej të cilëve në kullat e “World Trade Center” në Nju Jork.
Bin Laden u vra më 2 maj 2011 gjatë një sulmi të forcave speciale amerikane në rezidencën e tij në Abbottabad, në Pakistan.