VV nuk ka diskutuar kë do ta kandidojë për Kryeministër
Vetëvendosje konsideron se Kosova duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje, por ato duhet të jenë të organizuara mirë. Visar Ymeri nuk thotë nëse Albin Kurti do të jetë Kandidat për Kryeministër i VV'së.
Lajme
VV synon të jetë subjeti më i rëndësishëm politik
Glauk Konjufca ka deklaruar se VV synon të jetë subjekti më i rëndësishëm politik në vend, në mënyrë që të mund ta imponojë programin e vet në qeverisjen e ardhshme, në rast të ndonjë koalicioni.
“Njerëzit do të provojnë deri në një ditë, në të ardhmen, kur shumica do të thonë, kështu nuk shkon, të gjitha i provuam deri tash, sa i përket punësimit, zhvillimit ekonomik. Ndryshimi do të vijë në momentin kur kokat e njerëzve ta kuptojnë që ndryshimi nuk do të vijë me këto subjekte politike”.
“E Lëvizjes Vetëvendosje është të tregojë çfarë po ndodh, të ofrojë alternativa politike, e qytetarëve është të zgjedhin. Ne synojmë të jemi subjekti më i rëndësishmi politik në Kosovë. Kur je më i rëndësishmi, edhe njeriu që hyn në koalicion me vot, atëherë është më e lehtë për neve t’i imponojmë fondamentet e programit politik”.
“Ne mendojmë që objektivi ynë politik nuk do të mund të realizohet përderisa VV nuk do të bëhet subjekti më i rëndësishëm në Kosovë”, ka deklaruar Konjufca në Zonën e Debatit në Klan Kosova.
______________
Është e domosdoshme të rrëzohet Qeveria
Glauk Konjufca ka pohuar gjatë debatit në Klan Kosova se Vetëvendosje është e gatshme herëdokur për zgjedhje, por ka thënë se para se gjithash duhet të shpjegohet njëfarë projekti në të cilin janë futur partitë politike, e që ishte marrëveshja Thaçi-Mustafa-Pacolli.
“PDK e kishte qëllim të lirohej prej Behgjet Pacollit. Ta përmbushte mandatin e saj 4 vjeçar. LDK të arsyetohej prej elektoratit se morëm diçka. Po del se kjo paska qenë një mashtrim i madh. Sepse, reforma nuk është duke ndodhur në aspektet e saj sociale.”
Konjufca ka thënë se nuk pret ndryshime substanciale sa i përket reformës zgjedhore, e cila tash e sa kohë është bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.
“Jo diçka substanciale”.
Por, Visar Ymeri ka këmbëngulur që opozita duhet ta rrëzojë Qeverinë.
“Është e domosdoshme ta rrëzojmë Qeverinë, nëse duam ndryshim”.
____________________
Dy kundërshtimet e VV për privatizimin
Duke folur për privatizimin, në Zonën e Debatit në Klan Kosova, Visar Ymeri ka deklaruar se Vetëvendosje i ka dy lloje të kundërshtimeve.
“E para, si është bërë privatizimi, me të gjitha shkeljet, e ka lënduar potencialin industrial të Kosovës. E dyta, konsiderojmë që domosdoshsmërisht për t’u zhvilluar ekonomia duhet ta ketë një lloj sintetizimi mes publikes dhe privates”.
“Ne kemi problem me Qeverinë, jo me kompanitë”.
“Privatizimi nënkupton që ti e humb gjithmonë mundësinë e kontrollimit të sektorit që e mbulon”.
Në vazhdim, ai ka thënë se partitë tjera janë të majta, por ju vjen marre të deklarohen.
“Mendoj që nuk duhet ta reduktojmë pozicionimin politik”.
Ymeri, po ashtu, ka deklaruar se deri tash ndërmarrjet publike në Kosovë janë menaxhuar në mënyrë të dobët, për shkak të ndërhyrjeve që i ka bërë politika për t’i shkatërruar.
_________________
Konjufca: Vetëvendosje nuk është vandaliste
Duke folur për profilin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se refuzon ta quajë Vetëvendosjen vandaliste, ashtu siç mund ta perceptojë ndokush.
“Unë refuzoj këtë. Kjo shprehje i takon ndonjë tifozërie, e cila kur humb thyen xhama. Veprimet e VV i shoh të motivuara politikisht prapa të cilave qëndrojnë argumente shumë të fuqishme.”
“Nëse i referoheni rastit të Albin Kurtit kur përpiqet t’ia ndalë mikrofonin Jakup Krasniqit, duhet ta kontekstualizojmë. Nëse e zhveshni nga konteksti, atëherë njëmend nuk ka kuptim t’i kapet mikrofoni.”
“Por, bëhet fjalë për Marrëveshjen e 19 Prillit, që pasojat i shohim edhe tash, kemi të bëjmë me një marrëveshje ku është bërë me një shtet ka pasur të kaluar kriminale, gjenociadale, nuk është penduar për krimet që i ka bërë. Pra, ta problematizosh një gjest fizik, pa e pasur parasysh edhe kontekstin politik, kjo nuk më duket dashamirëse.”
“Mund të thotë dikush që ka qenë e tepruar, për këtë ka pasur debate. Mund të thuhet që ka pasur veprim jo të duhur e të tensionuar, mirëpo nuk mund të quhet vandalizëm.”
________________
Ymeri: VV nuk ka diskutuar kë do ta kandidojë për Kryeministër
Vetëvendosje është i vetmi subjekt i cili ka kërkuar tash e sa kohë zgjedhje dhe kjo kërkesë është bazuar në dështime flagrante të Qeverisë.
Kështu ka deklaruar Visar Ymeri, i cili bashkë me Glauk Konjufcën, po përgjigjen përballë analistëve në Zonën e Debatit në Klan Kosova, lidhur me planet e Vetëvendosjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Ne u kemi bërë ftesë edhe subjekteve tjera, LDK e AAK, që ta arrijmë në përputhshmëri në atë që e themi dhe atë që e veprojmë.”
“Kjo Qeveri është e keqe, mënyra më e mirë që ta rrëzojmë këtë Qeveri është të organizojmë zgjedhje.”
“Sa i përket zgjedhjeve ne konsiderojmë është e rëndësishme që Kosova të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje. Mirëpo, këto zgjedhje duhet të jenë të përgatitura dhe procesi të mos jetë i manipuluar.”
“Për ndryshim, opozita duhet të jetë sa më aktive që ta rrëzojë pushtetin. Ndryshimi nuk mund të arrihet duke u marrë vesh me partitë në pushtet.”
Ymeri nuk ka dhënë një përgjigje nëse Vetëvendosje do të kandidojë me Albin Kurtin si Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ai ka thënë se VV nuk e ka diskutuar ende këtë çështje.
“LVV nuk e ka diskutuar ende këtë çështje. Natyrisht se bartës i listës për deputetët do të jetë Albin Kurti.”
“Por, oferta duhet të bazohet më shumë në parimin programor.”