VV me 2 deputetë më shumë
Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Lumnije Morina (PDK) dhe Emin Gërbeshi (i pavarur) i janë bashkuar Vetëvendosjes. Albin Kurti konsideron se deputetë të tillë dhe njerëz që po vetëdijësohen që janë në këto parti ka edhe shumë.
Lajme
Vetëvendosje ka pranuar sot në listën e saj politike edhe dy emra të rinj, Lumnie Morinën nga PDK dhe Emin Gërbeshin, deputet i pavarur.
Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, duke u uruar mirëseardhje dy anëtarëve të rinj dhe duke i prezantuar ata shtoi se, njerëz të tillë që po vetëdijësohen nga partitë politike në vend ka edhe shumë.
“Jam i bindur që ka edhe shumë deputetë të tjerë të PDK-së, por edhe shumë njerëz të vullnetit të mirë që kanë mbetur në këto parti politike e që jo domosdosmërisht janë deputetë, të cilët po vetëdijësohen e po ju mbushet kupa”.
Por, edhe në këtë mbledhje, Kurti nuk e la pa bërë kritikë ndaj Qeverisë së Thaçit. Sa i përket aktiviteteve të tij të fundit, ai kundërshton së pari t’i quaj ato aktivitete. Pastaj, i sheh si shpërfaqje e panik të kryeministrit.
“Këto nuk janë aktivitete, këto më shumë janë shpërfaqje e një lloj paniku të mungesës së vizionit zhvillimor dhe shtetndërtues të Kryeministrit.
“Besoj që nuk ka më njerëz dhe qytetarë të Kosovës të cilët pasi që janë gënjyer sistematikisht nga ky kryeministër do të vazhdojnë t’i besojnë atij. Pra qytetarëve u është mbushur kupa, dhe paniku i kryeministrit po shpërfaqet në medie”, tha Albin Kurti.
Aderimet e reja në Vetëvendosje janë komentuar edhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Fitorja në Prishtinë ka krijuar një shpresë edhe më të madhe tek qytetet e tjera se mund të fitosh edhe pa para, edhe në mënyrë të drejtë, edhe pa i shkelur parimet dhe duke besuar fuqimisht në një shtet zhvillimor dhe në një të ardhme më të mirë. Prandaj njerëzit po e shohin si të mundshme për t’u marrë me politikë dhe të ngadhënjejnë në fund, dhe, kjo është e rëndësishme për Kosovën dhe në zgjedhjet e ardhshme. Se mund të fitosh nëse punon drejtë sepse në fund të fundit populli din ta vlerësoj dhe nuk mund ta mashtrojë askush”, tha Shpend Ahmeti.