Vuçiqi “i pafajshëm” në Berlin: Serbia nuk e rrezikon askënd, do ta shohim kush po e thotë të vërtetën
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kancelari gjerman Olaf Scholz ka pritur në takim në Berlin edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajme
Pas takimit Scholz-Vuçiq, ky i fundit ka folur edhe para mediave ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, raporton Novosti, transmeton lajmi.net.
Duke iu përgjigjur një gazetari i cili e pyeti presidentin serb për ndikimin e Rusisë në politikat serbe në Ballkanin Perëndimor, Vuçiq u shpreh se Serbia nuk e rrezikon asnjë vend në Ballkan.
“Serbia nuk e rrezikon askënd në Ballkanin Perëndimor dhe pretendimet e tilla janë histori të pavërteta për shtetin tonë”, ka thënë Vuçiq.
Tutje, presidenti serb ka thënë se koha do ta dëshmojë atë çfarë ai ka deklaruar.
“Për të gjithë ata që thonë se Serbia po i rrezikon, kjo është e pavërtetë. Unë ja kam thënë kancelarit Scholz dhe kryediplomates gjermane kur ishte në Beograd dhe po e përsëris. Por a po e them të vërtetën unë apo të tjerët, kemi kohën përpara dhe kancelari Scholz do të ketë mundësinë ta konfirmojë ose ta mohojë atë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se me kohë do të shihet kush po e thotë të vërtetën.
Në fund, i pyetur nëse diskutimi me kancelarin Scholz ishte i vështirë, Vuçiq ka deklaruar se në takimet me zyrtarët gjermanë duhet gjithmonë seriozitet dhe përkushtim, ndërsa ka thënë se duke marrë parasysh temat e diskutimit, normalisht se nuk është i lehtë diskutimi. /Lajmi.net/
