​Vuçiq thotë se zbatimi i vendimit për targa mund të bëhet vetëm me dhunë

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se Qeveria e Kosovës mund të zbatojë vendimin e saj për targat e automjeteve, kryesisht në veri “vetëm me dhunë”. Duke komentuar masën e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia e cila është shtyrë për 1 shtator nga Qeveria e Kosovës, presidenti Vuçiq tha…

Lajme

15/08/2022 14:46

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se Qeveria e Kosovës mund të zbatojë vendimin e saj për targat e automjeteve, kryesisht në veri “vetëm me dhunë”.

Duke komentuar masën e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia e cila është shtyrë për 1 shtator nga Qeveria e Kosovës, presidenti Vuçiq tha se “kjo mund të bëhet vetëm me dhunë”.

“Kur bëhet fjalë për targa është një situatë e qartë, ata (Kosova) mund t’i zbatojnë me forcë, por mos prisni që Serbia t’iu ndihmojë në procesin ligjor rregullimin e problemit”, tha Vuçiq gjatë prezantimit të armëve të reja të prodhuara nga Serbia në Akademinë Ushtarake në Beograd.

I pyetur nëse Beogradi do ta vendosë në rend dite më 18 gusht në Bruksel temën e targave para 1 shtatorit, Vuçiq tha se do të shkojë në Bruksel për të provuar të ruajnë paqen, teksa ka shtuar se “nuk e kanë problem për temat për të cilat pritet të diskutohen”.

“Ne jemi të interesuar të diskutojmë gjithçka. Ne nuk kemi problem me temat. Ne duam të flasim për asociacionin e komunave serbe. Nëse thonë se nuk është në përputhje me Kushtetutën (e Kosovës), atëherë nuk na duhet një e tillë në përputhje me kushtetutën. Pse duhet të na interesojë Kushtetuta e tyre”, tha ai.

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) theksoi dje se të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të zgjidhen përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

Vuçiq më 18 gusht në Bruksel do të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi mbahet më pak se dy javë para 1 shtatorit kur Prishtina zyrtare ka paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia.