Vuçiq: Takimi i radhës më 13 maj në Bruksel, pozicioni ynë është tmerrësisht i ndërlikuar

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka takuar sot ministren e Jashtme të Gjermanisë, Analen Berbock.

Lajme

05/05/2022 09:49

Pas këtij takimi, Vuçiq deklaroi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj.

“Pozicioni ynë është i vështirë, tmerrësisht i ndërlikuar, me deklaratat e presidentit Putin edhe më tepër. Unë do të flas për këtë nesër. Kam frikë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë ekonomikisht.”, deklaroi Vuçiq.

Ai theksoi se situata me Serbinë është vështirësuar shumë.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se bisedimet e djeshme nuk ishin të thjeshta, por se është i kënaqur me interesimin e madh të qeverisë gjermane.

“Ky është një lajm i rëndësishëm.”, shtoi ai.

Presidenti serb gjithashtu theksoi se takimi i radhës në kuadër të dialogut, do të zhvillohet në Bruksel.

I pyetur nëse Serbia do të bëjë një kthesë në politikë pikërisht për shkak të “këtyre presioneve”, Vuçiq tha se Serbia është në rrugën e integrimeve evropiane dhe nuk devijon nga ajo rrugë.

“Ne jemi ushtarakisht neutralë, e do të mbetemi të tillë. Në ditën e tretë të ndërhyrjes në Ukrainë, ne shprehëm qartë qëndrimin tonë dhe sado e vështirë të ishte për 71 ditë, Serbia është në atë pozicion.”, shtoi ai.

Vuçiq po ashtu tha se Serbia do të vazhdojë të bëjë punën e saj.

“Do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Nesër do të flas për të gjitha pasojat e qëndrimit tonë, të gjitha problemet dhe cila do të jetë përgjigja jonë për atë çështje.”, tha ai.

Vuçiq, deklaroi se darka joformale e mbrëmshme me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se përfaqësuesit gjermanë kanë këmbëngulur që ajo çfarë është nënshkruar në Marrëveshjen e Brukselit, duhet të zbatohet.

Ai tha se nuk dëshiron të shpalosë detaje të tjera, por se bisedat ishin shumë të vështira.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq do të shkojë më 13 maj në Bruksel për të tentuar që të pajtohen për diçka”, tha ai.

Vuçiq deklaroi gjithashtu se problem për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, “por përfaqësuesit gjermanë kanë thënë që ajo çfarë është nënshkruar duhet të zbatohet”.

Vuçiq gjithashtu tha se detyra e tij është të luftoj për Serbinë.

“Është e rëndësishme të bisedohet me përfaqësuesit gjermanë, sepse është vendi më I madh dhe më i rëndësishëm në Evropë. Nuk mund ta ndryshojmë qëndrimin e Gjermanisë, për çështjen e Kosovës, kjo nuk do të ndodhë”, theksoi Vuçiq./Lajmi.net/