Vuçiq në përvjetorin e “Oluja-s” flet për viktimat serbe, ndërsa hesht për varrezat masive dhe të zhdukurit në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shfrytëzuar 31-vjetorin e operacionit ushtarako-policor kroat “Oluja” për të bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës për viktimat serbe dhe ndërtimin e paqes në rajon. Megjithatë, në deklarimin e tij ai nuk përmendi çështjen e varrezave masive në Serbi dhe fatin e qindra shqiptarëve të Kosovës që vazhdojnë të figurojnë…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shfrytëzuar 31-vjetorin e operacionit ushtarako-policor kroat “Oluja” për të bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës për viktimat serbe dhe ndërtimin e paqes në rajon. Megjithatë, në deklarimin e tij ai nuk përmendi çështjen e varrezave masive në Serbi dhe fatin e qindra shqiptarëve të Kosovës që vazhdojnë të figurojnë të zhdukur që nga lufta e viteve 1998–1999.
Duke folur për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Serbia duhet të flasë më shumë për vuajtjet e serbëve.
“Duhet të tregojmë respekt ndaj viktimave të të tjerëve, por është koha të flasim hapur edhe për vuajtjet e popullit serb”, deklaroi ai, duke shtuar se orientimi strategjik i Serbisë mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndonëse zakonisht jep deklarata me ton kërcënues karshi Kosovës.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë në kohën kur në Zubin Potok në Kosovë po vazhdojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të shqiptarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës, konkretisht për 23 intelektualët e zhdukur të Mitrovicës. Në të njëjtën kohë, Kosova vazhdon të kërkojë nga Serbia hapjen e arkivës së Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, duke vlerësuar se dokumentacioni i saj mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe hetimin e krimeve të luftës.
Ndërkohë, fundjavën që lamë pas, në Rashkë të Serbisë u zbulua një monument kushtuar pjesëtarëve të Brigadës së 37-të të Motorizuar të vrarë gjatë luftës së vitit 1999. Kjo brigadë përmendet në dokumentacionin e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe në kërkesat e institucioneve të Kosovës për hapjen e arkivave ushtarake, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e krimeve të luftës dhe fatit të personave të zhdukur.
E derisa Vuciq nuk ka komentuar asnjërën nga këto, në vend të kësaj, ka kritikuar Kroacinë për operacionin “Oluja” dhe Malin e Zi për pjesëmarrjen në ceremoninë përkujtimore në Knin, ndërsa theksoi se Serbia do të vazhdojë të mbështesë serbët në rajon.