Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka folur për media në përurimin e urës së tretë mbi Lumin Ibër. Ai ka folur edhe për takimin që do ta mbaj sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun në lidhje me konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjidhjen e Presidentit. Ai ka thënë se synimi…
Lajme
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti ka folur për media në përurimin e urës së tretë mbi Lumin Ibër.
Ai ka folur edhe për takimin që do ta mbaj sot me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun në lidhje me konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjidhjen e Presidentit.
Ai ka thënë se synimi i këtij takimi është që të bëhet konstituimi i legjislaturës së XI-të.
“Fatkeqësisht dy partitë e tjera nuk e konsideruan të arsyeshme të takohemi, unë mendoj ndryshe. Me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ishte shumë e nevojshme që të takoheshim me kryetarin e PDK-së. Tashmë unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, Hekuran Muratin ndërkaq aty do të jetë Abdixhiku dhe bashkëpunëtor”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se duan që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet Presidenti pasi sipas tij nuk ka pas nevojë as për zgjedhjet e kaluara dhe nuk ka nevojë as për ato të ardhshme të jenë para vitit 2030,
“Kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo 4 vite një Qeveri qeveris dhe më pas vlerësohet nga populli si burim i sovranitetit, i cili na mban përgjegjës dhe llogaridhënës në Republikën tonë demokratike. Unë shkoj me vullnet të mirë, me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje pas takimeve, pas marrëveshjeve, pas suksesit për të cilin urojmë”, ka shtuar Kurti.
Takimi i Kurtit me Abdixhikun do të mbahet sot nga ora 18:00. /Lajmi.net/