Vuçiq i shqetësuar për takimin e Berlinit dhe Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i shqetësuar për takimin e Berlinit.

Lajme

14/04/2019 16:25

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i shqetësuar për takimin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Berlin, transmeton lajmi.net.

Vuçiq, ka thënë se është i shqetësuar edhe për gjithçka çfarë është duke ndodhur në Kosovë.

“Unë jam i shqetësuar për gjithçka dhe për shkak të takimit në Berlin, jo sepse kam frikë nga ndonjë presion, as nuk mendoj se do të ketë, por nuk mund të shoh se sa larg dhe më tej njerëzit janë aq të pashtershëm sa udhëheqësit shqiptarë sot. Kjo është ajo që më shkakton frikë dhe frikë të madhe, por kjo do të na sjellë më shumë sjellje serioze dhe më të përgjegjshme”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë vizitës së tij në Qendrën Klinike të Serbisë, transmeton më tutje lajmi.net.

Ndryshe, dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Franca kanë vendosur të mbledhin në Berlin më 29 prill udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Samiti do ta ketë theksin tek bashkëpunimi rajonal, por një nga qëllimet kryesor të këtij takimi duket se do të jetë fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu në takimin e Berlinit do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn. /Lajmi.net/