Të Infektuar: 8799

Të Shëruar: 4027

Të Vdekur: 249

“Vuçiq do ta njoh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës”

16:46 | 1 Gusht 2020

Drejtuesi i Lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviq ka deklaruar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës për të mbetur në pushtet.

Në një intervistë për mediumin Nova të Serbisë, Obradoviq theksoi se Vuçiq do të bëjë çmos për të qëndruar në pushtet dhe si pjesë e kësaj do të jetë edhe njohja e Kosovës.

“Gjatë sundimit të tij deri më tani, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet që të zgjasë sundimin e tij diktatorial. Sa i përket Kosovës, në vitin 2013 ai tregoi se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pjesë të territorit tonë shtetëror, gjë që ai bëri duke nënshkruar marrëveshje antikushtetuese në Bruksel. Kjo është vetëm gjysma e premtimeve që ai u dha mentorëve të tij perëndimorë, të njëjtët që uruan Tomislav Nikoliq për fitoren e tij tre orë para mbylljes së sondazheve, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale 2012”, ka thënë ai.

Sipas tij, Vuçiqit i duhet të përmbushë edhe pjesën tjetër të premtimit para se të vinte në pushtet, pra njohjen e Kosovës.

“Vuçiq tani duhet të përmbushë pjesën tjetër të premtimit që bëri përpara se të vinte në pushtet – njohja zyrtare e shtetit të Kosovës. Jam i sigurt se në prapaskenë, negociatat sekrete kanë vazhduar për dy vjet në lidhje me këtë, dhe se ato janë përshpejtuar në javët e fundit. Gjithçka po shkon në atë drejtim, dhe Vuçiq aktualisht po kërkon një kompensim me të cilin do të paraqitej para qytetarëve të Serbisë, në mënyrë që t’u shpjegonte atyre se dorëzimi i Kosovës nuk është shkelje e Kushtetutës dhe diçka për të cilën ai do të duhej të përgjigjej penalisht”, ka thënë Obradoviq.