Vrasja në Balaj të Ferizaj, i dyshuari ndalohet për 48 orë
Një vrasje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:42 në fshatin Balaj të Ferizajt ku një 40-vjeçar mbeti i vdekur. Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot se i dyshuari me iniciale B.R., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja”. “Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime…

Lajme
Një vrasje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:42 në fshatin Balaj të Ferizajt ku një 40-vjeçar mbeti i vdekur.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot se i dyshuari me iniciale B.R., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja”.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me Policinë e njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarje. Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari me iniciale B.R., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë, për obduksion.
Po ashtu lidhur me rastin nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka thënë se është duke u punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pranë gjykatës kompetente”, theksohet në njoftim.
Në këtë rast theksohet se janë shkrepur rreth 4 plumba.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pistoletën dhe 4-gëzhoja që dyshohet se janë shkrepur nga i dyshuari”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie, me 72 fishekë cal-12mm dhe një pushkë ajrore.
“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti duke u hetuar”.
I dyshuari për vrasjen është një burrë rreth të 50-tave, gjithashtu me inicialet Bekim Rramusa- sipas informacioneve të para viktima dhe i dyshuari në këtë rast janë familjar, më saktësisht djem të axhës.
Viktima la pas vetes gruan dhe katër fëmijë. /Lajmi.net/