Vrasja e 38 vjeçarit në Deçan u krye nga pusia

Sot në mëngjes në fshatin Llukë e Ulët të Deçanit u vra me armë zjarri një 38 vjeçar nga fshati Brekoc i Gjakovës. Vrasja sipas policisë u krye me armë automatiku, nga pusia, derisa viktima me veturën e tij po kalonte mbi një urë që lidhë fshatrat Llukë dhe Prapaqan. 

Lajme

23/06/2014 16:34

Policia e Kosovës bënë të ditur se vrasja u krye sot rreth orës 08:40, dhe sipas hetimeve në vendngjarje mësohet se, viktimë e këtij rasti është Ferdinand Gj. 38 vjeçar nga nga fshati Brekoc, komuna Gjakovë. 

Personi i cili u vra, sipas policisë, në ato momente ishte duke qarkulluar me një mjet të tipit “Pasat”, me ç’rast një person, ende i panjohur, ka shtënë me breshëri plumbash nga arma automatike nga një pusi, dhe nga plagët e marra viktima ka ndërruar jetë në vend.

Njësitet përkatëse policore, janë vënë në ndjekje të vrasësit por ende nuk kanë arritur të kryejnë arrestimin e tij. (lajmi.net)