Vonesa skandaloze në gjykatat shqiptare, 20 vjet për një lëndë
Gjykatat shqiptare i zvarrisin pafundësisht jo vetëm proceset gjyqësore por edhe vendimet dhe zbardhjen e tyre, pasi që të ketë përfunduar një gjyq i caktuar.

Lajme
Kjo vonesë mesatarisht arrin nga disa muaj deri në një vit, por ka edhe raste ekstreme me 20 vite. Janë vonesa që dëmtojnë palët që presin vendimin, por përbëjnë edhe një shkelje ligjore.
Në këtë konkluzion ka dalë Instituti INFOÇIP, që monitoron dorëzimin e vendimeve gjyqësore në gjykatat më të mëdha shqiptare.
Sipas Gerti Shellës, drejtor i INFOÇIP, për të realizuar të gjitha vlerësimet për vitin 2014, qendra disponoi dhe përpunoi 15.235 vendime gjyqësore. Shella thotë se ndryshe nga vonesat në procesin gjyqësor, ku palët kanë ndikim shumë të shprehur, arsyetimi dhe dorëzimi i vendimit gjyqësor implikon vetëm gjyqtarin, pasi këtu gjyqtari është përballë vetvetes dhe përgjegjësia për vonesa është vetëm e tij.
Në rastin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë është shënuar një përkeqësim i vonesave për dorëzimin e vendimeve unifikuese, që kanë kapur rekordin e 7.703 ditëve, apo 21 viteve.
Instituti INFOÇIP thotë se këto vonesa janë të përmasave skandaloze që nuk ndodhin në asnjë vend tjetër të botës.
“Është për t’u konstatuar si një fakt rëndues, në gjykimin tonë ai meriton të konsiderohet një fakt skandaloz që vonesat në arsyetimin; pra plotësimin e vendimit përfundimtar të një vendimi unifikues në Gjykatën e Lartë, përgjithësisht mbahen peng, zvarriten nga pikëpamja e afateve. Këto përfaqësojnë vonesat më ekstreme në të gjithë sistemin e Gjykatave të Republikës së Shqipërisë. Po ua them kanë kaluar diku rreth 7.703 ditë vetëm për t’u zbardhur këto vendime unifikuese; e thënë në një mënyrë ndryshe; palët ndërgjyqëse të cilat kanë interes për të marrë vendimin e zbardhur; aq më tepër trupa gjyqësore sepse vendimet unifikuese adresojnë vetë trupën gjyqësore të Republikës së Shqipërisë, iu është dashur të presin 21 vjet,” tha Gerti Shella nga Instituti INFOÇIP.
Vonesa të tilla ka edhe në gjykatat e tjera të Shqipërisë, si Gjykata e Apelit, Tiranë, Gjykata e Faktit, Tiranë dhe Gjykata e Faktit Durrës.
Për herë të parë, INFOÇIP ka vlerësuar edhe gjykatat administrative sa i takon dorëzimit në afat të vendimeve të tyre. Të dhënat sasiore në Vlerësimin 2014 janë përpunuar në mënyrë të tillë që të mundësojnë përmes atributeve të vendimit identifikim e emrit korrespondues të gjyqtarit apo trupës gjyqësore që e ka dhënë atë.
Inspektoratet e KLD dhe të MD janë të lutur që të disponojnë të dhënat që bëhen publike sot në këtë raport dhe, pasi t’i verifikojnë ato, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për adresimin e problematikës së identifikuar. INFOÇIP shprehet e gatshme t’u vendosë atyre në dispozicion të gjithë bazën materiale që ka mbledhur, për një rakordim të plotë nga ana e tyre, si të gjetjeve të tyre, ashtu edhe të dhënave kritike për trupën gjyqësore. /Kosovapress/