VMRO-DPMNE prezantoi 120 kandidatët për deputetë

VMRO-DPMNE-ja prezantoi 120 kandidatët për deputetë. Edhe pse nga partia e Hristijan Mickoskit kishin premtuar figura kryesisht të reja, në konventë u panë deputet të legjislaturës së kaluar dhe ish-deputetë të akuzuar nga PSP-ja.

Lajme

11/03/2020 23:56

Mickoski në fjalimin e tij potencoi se “Koalicioni për ripërtëritjen e Maqedonisë” bashkë me 20 partnerët e koalicionit më 12 prill do t’i çojë në pension politikanët e korruptuar dhe inkriminuar.

“Maqedonia meriton ripërtëritje. Ripërtëritje të vlerave të sistemit, çdo sferës në shoqëri, në çdo qytetet dhe fshat, ripërtëritje që sjell të mira për bujqit, tregtarët, burrat e gratë, të rinj e të rejat, të gjithë atyre që janë zgjuar dhe me kokën lart kërkojnë drejtësi dhe fitore të reja”, deklaroi Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët ka caktuar kreun e partisë, Ziadin Sela si përgjegjës për propozimin e kandidatëve. Në zonën gjashtë bartës do të jetë Sela, ndërsa në zonën 2 partneri i tij i koalicionit, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

“Natyrisht që ne do të kandidojmë në çdo zonë ku ka votues shqiptar. Do të kemi kandidatura në zonat 1, 2,3,5 dhe 6. Jemi duke menduar edhe për njësinë e 4, por në 5 zonat që i përmenda do t’i kemi listat tona me të cilat do të garojmë”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

BDI ka anuluar prezantimin e kandidatëve për deputet shkaku i masave të Qeverisë kundër koronavirusit. Emrat do të bëhen të ditur para dorëzimit në KSHZ.

Edhe Lëvizja Besa ka publikuar kandidatët e saj për deputetë në listat e përbashkëta me partnerin e koalicionit LSDM.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami do të jetë bartës në njësinë zgjedhore numër 6, ndërsa i katërti do të radhitet deputeti Fadil Zendeli. LSDM-ja ka vazhduar negociatat me partnerët tjerë të koalicionit me qëllim plotësimin e vendeve vakante në lista.

Ndërkohë në KSHZ janë konfirmuar 6308 nga paraqitjet e dorëzuara nga personat që jetojnë jashtë vendit, për të votuar në diasporë.

Ndërkohë edhe 1442 paraqitje të tjera janë akoma pa u përpunuar nga shërbimet. Kusht për t’u mbajtur zgjedhjet në diasporë janë 6540 paraqitje. Më shumë të paraqitur ka në Venecia, Melburn dhe Berlin./alsat/