Vjosa Osmani ia rrëmben një tjetër deputete VV-së, Albena Reshitaj i bashkohet listës së saj

Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka vazhduar prezantimin e kuadrove që po i bashkohen asaj dhe që do garojnë nën siglën e LDK-së. Sot, Osmani e ka prezantuar aderimin e ish-deputetës së grupit parlamentar të VV-së, Albena Reshitaj, transmeton lajmi.net. “Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm…

Lajme

08/05/2026 14:29

Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka vazhduar prezantimin e kuadrove që po i bashkohen asaj dhe që do garojnë nën siglën e LDK-së.

Sot, Osmani e ka prezantuar aderimin e ish-deputetës së grupit parlamentar të VV-së, Albena Reshitaj, transmeton lajmi.net.
“Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë!”, shkroi ndër të tjera Osmani në postimin e saj.
Postimi i plotë: 
Një bashkëpunim i filluar më shumë se një dekadë më parë, e i ndërtuar mes sfidash e suksesesh të përbashkëta, po vazhdon edhe sot.
Prof.asoc.dr. Albena Reshitaj, ish ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës.
Kur u zgjodha Presidente në vitin 2021, me votën e saj vendimtare, Albena krijoi kuorumin e nevojshëm dhe bllokoi rolin e Listës serbe në krijimin e institucioneve, pa asnjë interes personal e pa kërkuar absolutisht asgjë!
Ajo dëshmoi shumëherë, e po e dëshmon edhe sot se politika mund të ndërtohet mbi dinjitet, integritet dhe vizion për Kosovën, e gjithnjë e palëkundur para atyre që nuk e njohin Kosovën si dhe para atyre që dojnë të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar me sakrificë. Kosova ka nevojë për njerëz që dijnë të punojnë bashkë, e jo për të tillë që dojnë të shkatërrojnë njëri-tjetrin.
Si trashëgimtare e një familjeje atdhetare, mbesë e Ramë Bllacës, ajo do të vazhdojë të mbrojë kauza për të cilat është sakrifikuar ndër shekuj. Kosova do ta ketë nderin ta ketë deputete, ndërsa qytetarët tanë kanë mundësinë që edhe njëherë të vlerësojnë parimësinë, guximin, nderin, besnikërinë ndaj shtetit dhe profesionalizmin e Albenës. Na priftë e mbara./lajmi.net/