MINTI gjobit KEDS-in me 35 mijë euro pas verifikimit të njehsorëve elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, janë konstatuar parregullsi në disa njehsorë elektrikë të konsumatorëve, çka ka rezultuar me shqiptimin e një gjobe ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh. Sipas njoftimit, Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë ka…

Lajme

08/05/2026 14:25

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, janë konstatuar parregullsi në disa njehsorë elektrikë të konsumatorëve, çka ka rezultuar me shqiptimin e një gjobe ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Sipas njoftimit, Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë ka analizuar 16 njehsorë të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa, transmeton lajmi.net.

Nga verifikimet laboratorike, në 6 raste është konstatuar se njehsorët kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë.

Po ashtu, sipas MINTI-t, në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa tre njehsorë të tjerë janë ende në procedurë të verifikimit laboratorik.

“Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh”, thuhet në njoftim.

MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të funksionimit të rregullt të njehsorëve elektrikë.

Institucionet kanë ftuar qytetarët që të raportojnë rastet e dyshuara përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike [email protected].

Njoftimi i plotë: 

Pas verifikimeve laboratorike, MINTI shqipton gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), përkatësisht Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas verifikimit laboratorik të 16 njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë paraqitur ankesa, janë konstatuar një sërë parregullsish.

Sipas rezultateve të verifikimit, në 6 raste është konstatuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në 6 raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, në një rast është konstatuar heqje e miratimit të tipit të njehsorit elektrik, ndërsa 3 njehsorë të tjerë vazhdojnë të jenë në procedurë të verifikimit laboratorik.

Bazuar në këto gjetje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.

MINTI dhe AMK kanë bërë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të funksionimit të rregullt të njehsorëve elektrikë.

Konsumatorët që posedojnë dëshmi lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë mund të vazhdojnë të adresojnë ankesat përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe në adresën elektronike [email protected]./lajmi.net/