Vjosa Gradinaj-Mexhuani largohet nga drejtimi i “gjykatës së tenderëve” , për të ushtruar detyrën e noteres

Ditë më parë ministrja Albulena Haxhiu njoftoi për zyrtarizmin e noterëve të rinj të Kosovës. Madje Haxhiu publikoi edhe fotografi nga ceremonia e betimit të tyre. Por për çudi aty mungoi Vjosa Gradinaj Mexhuani. Anipse mungoi në këto pamje, Kryetarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë,…

Lajme

13/08/2024 10:20

Ditë më parë ministrja Albulena Haxhiu njoftoi për zyrtarizmin e noterëve të rinj të Kosovës.

Madje Haxhiu publikoi edhe fotografi nga ceremonia e betimit të tyre. Por për çudi aty mungoi Vjosa Gradinaj Mexhuani.

Anipse mungoi në këto pamje, Kryetarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për të vazhduar detyrën e noteres në territorin e Ferizajt.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani është emëruar notere më 15 korrik të këtij viti dhe në bazë të Ligjit për Noterinë ajo ishte e obliguar të jap dorëheqje nga pozita e saj zyrtare në një afat prej 30 ditësh nga emërimi, raporton lajmi.net.

“Në pajtim me nenin 20 të Ligjit nr 06/l-100 për Noterinë, obligohet e emëruara që brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë dëshminë përkatëse me të cilën vërteton dorëheqjen e saj nga funksioni aktual zyrtar”, thuhet në vendim.

Vjosa Gradinaj-Mexhuani vendosi që të largohet nga pozita e kryetares së “Gjykatës së Tenderëve” apo një prej pozitave më të rëndësishme në vend, sipas saj për të ndjekur profesionin e ëndrrave, atë të noteres.

Gradinaj-Mexhuani tashmë ka dorëzuar një letër dorëheqjeje dhe tek kryeparlamentari Glauk Konjufca./Lajmi.net/