“Vjedhja industriale” i takon PDK’së

LDK u përgjigjet akuzave të PDK’së me akuzë të njëjtë - vjedhje të votave. Në një reagim, LDK thotë se PDK po planifikon vjedhje të votave në balotazh.

Lajme

29/11/2013 18:00

LDK i është përgjigjur PDK’së në akuzat që i bëri gjatë ditës për keqpërdorim të votave.

Në një deklaratë të lëshuar në mbrëmje, LDK akuzon PDK’në për të njëjtën gjë, vjedhje të votave.

“Lidhja Demokratike e Kosovës  në prag të zgjedhjeve për balotazh,  ngre zërin kundër planit të PDK-së për vjedhje votash në këtë raund të ri. Ky plan është bërë i njohur sot për publikun, nga nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, i cili duke drejtuar gishtin e shpifjeve nga LDK’ja, po kërkon të përgatisë publikun për vjedhjen e ardhshme që ata po planifikojnë”.

“PDK’ja nuk po mundet ta kapërdijë dështimin e thellë të sërishëm në Prishtinë, prandaj po harmonizohet edhe me subjekte të tjera, deri dje kundërshtare, për të inskenuar nëpër media akuza të ulëta për gjoja blerje votash”.

“Ishte pikërisht PDK’ja e Memli Krasniqit që në zgjedhjet e vitit 2010, bleu, vodhi, manipuloi dhe shantazhoi e dëmtoi procesin zgjedhor.  Vjedhjet nga kjo parti u quajtën industriale nga diplomatët e huaj”.

LDK thotë se fitorja e saj në shumicën e komunave duket se po e detyron PDK’në t’i kthehet zanatit të zgjedhjeve të kaluara, manipulimit dhe krijimit të një atmosfere të pasigurt zgjedhore.

“Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje KQZ’së që të angazhojë gjithë potencialin për të garantuar një proces të ndershëm zgjedhor”.

“Po kështu, LDK’ja u bën thirrje vëzhguesve të huaj dhe vendës që ta monitorojnë procesin e balotazhit dhe të raportojnë për të gjitha parregullsitë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës u garanton të gjithë qytetarëve të vendit se komisionerët tanë janë të përgatitur ta mbrojnë votën dhe të mos lejojnë në asnjë mënyrë që vullneti i votuesve të ndryshohet”, thuhet në reagimin e LDK’së.