Vizitë përçarëse

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur përçarëse vizitën e Edi Ramës në Kosovë. Një gjë e tillë, ka thënë ai, nuk duhej të ndodhte kurrë. Reagimi i liderit demokrat ka ardhur në Facebook, si kritikë për fjalimin e rivalit të tij të ashpër politik Edi Rama, në Kuvendin e Kosovës, gjatë vizitës…

Lajme

13/09/2013 19:30

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur përçarëse vizitën e Edi Ramës në Kosovë.

Një gjë e tillë, ka thënë ai, nuk duhej të ndodhte kurrë.

Reagimi i liderit demokrat ka ardhur në Facebook, si kritikë për fjalimin e rivalit të tij të ashpër politik Edi Rama, në Kuvendin e Kosovës, gjatë vizitës së tij të parë si Kryeministër i Shqipërisë.

“Kryeministri i dekretuar, z. Rama, zgjodhi Kosovën për vizitën e tij të parë zyrtare. Një Kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy Kryeministrave të kombit tonë.”

“Mirëpo, në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur.”

“Me këtë qëndrim të pashembullt, z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës por dhe mbarë kombin shqiptar.”

“Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare.”

Sidoqoftë, Kryeministri Edi Rama pasdite ka bërë homazhe pranë varrit të ish Presidentit Ibrahim Rugova.

Ai tha se Kosova që është sot – nuk do të ishte bërë realitet pa Rugovën.

“Në këtë vend ku prehet njeriu pa të cilin Kosova që kemi sot nuk do të ishte bërë realitet, siç nuk do të ishte bërë pa të gjithë protagonistët tjerë, ata që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj shtet i ri, sovran, demokratik.”

“Lavdi përjetë kujtimit të Ibrahim Rugovës dhe të gjithë atyre që vunë gjithçka kishin në themelet e Kosovës së re.”

Rama nuk ka dashur të komentojë vërejtjet dhe braktisjen e seancës së një pjese të deputetëve të LDK’së, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Rama ka vizituar edhe Prekazin, ku ka bërë homazhe te varri i Komandantit Legjendar të UÇK, Adem Jashari, dhe dëshmorëve të tjerë në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve.