Viti 2014: Sukses anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, dështim njohjet

Numri i vogël i njohjeve, vetëm katër në vitin 2014, po kritikohet nga opozita, pavarësisht faktit se Kosova gjatë këtij viti u anëtarësua në shumë organizata rajonale, evropiane e ndërkombëtare.

Lajme

04/01/2015 16:44

Sipas opozitarëve, politika e jashtme assesi nuk është dashur të fokusohet vetëm në një drejtim, siç ka qenë anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, por edhe në çështjen e njohjeve të reja, përmirësimit të imazhit të vendit e drejtime tjera. 

Por, në anën tjetër ish Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, thotë se viti 2014 ka qenë shumë i suksesshëm për politikën e jashtme të Kosovës, duke u anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.

Madje, Hoxhaj thotë se kur ai ka marr drejtimin e MPJ-së, Kosova ka qenë e anëtarësuar në vetëm dy organizata ndërkombëtare, siç kanë qenë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë, derisa vetëm në mandatin e tij Kosova është anëtarësuar edhe në 35 organizata tjera ndërkombëtare.

Megjithatë, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se politika e jashtme e Kosovës ka qenë e çakorduar dhe e dështuar në vitin 2014, duke qenë se kemi vetëm 4 njohje për një vit, që ka qenë edhe një reflektim i brendshëm i Kosovës me mos zhvillim dhe shkatërrimi i imazhit që e ka bërë Qeveria e kaluar.

“Fatkeqësisht ka qenë një politikë krejtësisht e çakorduar që më shumë është marr me interesa apo inate personale ditore në mes të figurave që kanë qenë të caktuar të merren me fushën e politikës së jashtme, se sa që kanë vënë interesin e Kosovës para tyre. Ne kemi parë që edhe prioritetet e Qeverisë gjatë këtyre viteve që shkuan kanë ndryshuar brenda ditës, madje disa herë brenda të njëjtës ditë për interesa të ish Ministrit të Jashtëm në caktimin e prioriteteve që kurrsesi nuk duhet të lejohen”, tha Osmani.

Sipas saj, në këtë politikë të jashtme, ka ndikuar edhe ndarja e përgjegjësive duke qenë se janë marr një numër i madh personash me politikën e jashtme. Madje, Osmani thotë se MPJ-ja nuk ka arritur as ta plotësoj synimin e tyre që e kanë pasur, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Në fakt as në fushën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare nuk ka ndonjë sukses, madje nëse flasim për organizata rajonale, e dini që në kohën kur Qeveria e kaluar e patë pranuar fusnotën pati premtuar se kjo fusnotë do t’ia mundësoj Kosovës anëtarësimin në mbi 100 organizata rajonale, përderisa numri i anëtarësimeve është shumë i vogël”, tha ajo.

Por, ish ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj thotë se ata kanë vendosur që prioritet i politikës së jashtme të Kosovës të jetë anëtarësimi i Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, që e kanë quajtur diplomaci multilaterale. Por, thotë se njohjet nuk janë të pakta pse ata kanë pasur si prioritet anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në një periudhë prej katër viteve Kosova është anëtarësuar në 35 organizata.

“Përderisa në vitin 2011, 2012, 2014 ka qenë prioritet i imi rritja e njohjeve bilaterale si shtete që duhet ta njihnin Kosovën në vitin 2014 prioritet i dorës së parë ka qenë anëtarësimi në organizata të ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare, dhe ne kemi arritur që të anëtarësohemi në 7 organizata rajonale duke përfshirë CCP-në që është organizata më e madhe në rajon, por po ashtu kemi arritur që të anëtarësohemi në organizatat evropiane siç është Komisioni i Venedikut, dhe në bankën zhvillimore të KE-së, të dyja kanë qenë si test se si ne në të ardhmen të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Kemi arritur të anëtarësimi në organizatën e frankofonisë, e cila i ka 80 shtete anëtare, dhe e cila pas OKB-së është organizata me e madhe për nga numri i shteteve në botë”, tha Hoxhaj.

Ish ministri i Jashtëm, thotë se në vitin 2014 ka pasur një shpërthim të politikës së jashtme, sepse Kosova në këtë vit ka një listë prej 35 organizatave në të cilat është anëtarësuar.

“Fakti që në vitin 2014 Kosova ka një listë prej 35 organizatave të Evropës dhe ndërkombëtare flet për një shpërthim që ka pasur politika e jashtme në rrafshin multilateral. Organizatat janë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, meqë ia mundësojnë Kosovës që ta zgjeroj sovranitetin e saj, ta rritë sovranitetin e saj, por edhe ta ushtroj sovranitetin e saj”, thotë ai.

Duke iu përgjigjur kritikave për shumë njerëz që janë marr me politikën e jashtme, Hoxhaj thotë se në asnjë mënyrë nuk ka ndikuar kjo, madje kanë pasur një koordinim shumë të mirë brenda Qeverisë. Madje, sipas Hoxhajt, ata që thonë se në Kosovë janë marr shumë persona me politikë të jashtme, iu mungon imagjinata.

Ndërsa, analisti Artan Muhaxhiri thotë se janë një serë faktorësh që kanë ndikuar që Kosova të ketë kaq pak njohje këtë vit.

“Po procesi i njohjeve varet shumë prej rrethanave globale, me konkretisht prej përkrahjes së partnerëve tanë strategjik që janë Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja dhe në fakt, sepse Kosova është një vend që e ka vështir që të ndikoj tek akterët e mëdhenj, por këtë mund ta bëjnë miqtë tanë. Në fakt këtë vit ka pasur probleme globale me të cilat janë ballafaquar SHBA-të edhe BE-ja sa i përket politikës së jashtme, prandaj mbase edhe fokusi i këtyre dy faktorëve ka qenë me i vogël në raport me Kosovën se sa ka qenë vitin e kaluar”, tha Muhaxhiri.

Mirëpo, sipas tij, një faktor tjetër që ka ndikuar në numrin e vogël të njohjeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë, i cili po shihet se i ka marr energjitë me të mëdha të politikës së jashtme qoftë të kryeministrit, qoftë të ministrit të Jashtme.

Ndërsa, ish Kryediplomati Hoxhaj, që tash udhëheq Komisionin për punë të Jashtme, thotë se do ta bëjë këtë komision me aktivin pranë një Kuvendi, që ti përfaqësoj interesat e Kosovës. Madje, sipas tij, ata politikën e jashtme e kuptojnë edhe sigurinë, edhe kulturën edhe zhvillimin ekonomik.

Shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës gjatë vitit 2014 janë Tonga që njohur Kosovën me 20 Januar, Mbretëria e Lesotos me 12 Shkurt, Togo me 2 Korrik dhe Ishujt Solomon me 13 Gusht 2014. (Kosovapress)