Visar Mehmeti pritet të bëhet deputeti i dytë shqiptar në Parlamentin e Serbisë, pas Shaip Kamberit

“Koalicioni Shqiptar” është drejt sigurimit të dy mandateve në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve dhe përllogaritjeve preliminare, Shaip Kamberi pritet të sigurojë mandatin e deputetit, ndërsa Visar Mehmeti pritet të jetë deputeti i dytë shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën sot, më 25 tetor, ku partitë politike shqiptare nga…

Lajme

25/10/2026 21:54

“Koalicioni Shqiptar” është drejt sigurimit të dy mandateve në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve dhe përllogaritjeve preliminare, Shaip Kamberi pritet të sigurojë mandatin e deputetit, ndërsa Visar Mehmeti pritet të jetë deputeti i dytë shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi u mbajtën sot, më 25 tetor, ku partitë politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garuan së bashku në listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, me numrin 17 në fletëvotim.

Bashkimi i partive shqiptare synoi rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, ku deri më tani ata përfaqësoheshin vetëm nga Shaip Kamberi.

Me rezultatet e deritanishme, Koalicioni Shqiptar është në rrugë për të siguruar dy ulëse në Kuvend, të cilat pritet t’i fitojnë Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti. Megjithatë, ndarja e mandateve mbetet preliminare dhe varet nga përfundimi i numërimit të votave.

Synimi i përfaqësuesve shqiptarë ishte sigurimi i më shumë mandateve parlamentare, përmes të cilave do të mund të ngrinin më fuqishëm çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të kërkonin avancimin e të drejtave të tyre politike e kombëtare. /Lajmi.net/