Vetëvendosje dënon sulmin ndaj gazetarëve të RTK2-shit
Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar sulmin e protestuesve ndaj ekipit të RTK2-shit.
Lajme
Në reagimin e Vetëvendosjes, thuhet se, çfarëdo sulmi që bëhet ndaj gazetarëve, është sulm ndaj fjalës së lirë.
“Sonte morëm vesh me keqardhje se ekipi i RTK 2, që transmeton në gjuhën serbe, është sulmuar gjatë protestës së sotme. Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër këtë sulm ndaj kameramanit dhe gazetares së RTK 2”.
“Çfarëdo sulmi që bëhet ndaj gazetarëve, përveç sulm ndaj integritetit të individit, është sulm ndaj fjalës së lirë, e së këndejmi i papranueshëm dhe i dënueshëm. Mirëpo sulmi ndaj gazetarëve në baza etnike merr dimension edhe më të rëndë”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër serbëve të Kosovës dhe ata i konsideron qytetarë të barabartë të vendit. Problem i Kosovës është shteti serb dhe strukturat e tij brenda Kosovës, të cilat e dëmtojnë në vazhdimësi sovranitetin dhe integritetin territorial”.
“Urojmë që kësi lloj sulmesh mos të përjetojë asnjë gazetar në vend, pa dallim etnie, feje apo race”.