Vetëm edhe 9 ditë afat për komentimin e tarifave të reja të propozuara nga ZRRE-ja

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka vënë në konsultim publik propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, aplikimin e tarifava të reja të energjisë që nga 1 shkurti, nëse të njëjtat miratohen.

Lajme

19/01/2022 10:04

Mundësia për komentimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, të propozuara dy ditë më parë nga ZRRE-ja, do të jetë e hapur deri më datë 28 janar 2022, në orën 18:00, përcjell Buletini Ekonomik. Pra, konsumatorët kanë afat vetëm edhe 9 ditë të plota për dërgimin e kritikave apo edhe komenteve në lidhje me tarifat e reja.

Kështu ka bërë të ditur vet institucioni i ZRRE-së, duke i ftuar të gjithë konsumatorët që t’i shqyrtojnë tarifat e reja dhe t’i dërgojnë komentet e tyre, qoftë pro ose kundër, në adresën e caktuar nga ata.

Sipas një njoftimi për media nga ZRRE, me raportin konsultativ të publikuar nga ta, iu afrohet konsumatorëve mundësia që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në raport, me të cilat ata mund edhe të mos pajtohen, dhe në këtë formë iu jepet mundësia t’i dërgojnë komentet në konsultim publik përmes argumentimit, ose të dhënave të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh.

“Të gjithë konsumatorët mund të dërgojnë komentet e tyre, qoftë pro ose kundër, përmes emailit në: shkrim në adresën [email protected] , deri më 28 janar 2022, në orën 18:00h. Përndryshe, komentet mund t’i dërgoni edhe përmes postës në adresën: Zyra e Rregullatorit për Energji Departamenti për Tarifa dhe Çmime Rr.Bekim Fehmiu (ish Ndërtesa e Fazitës), kati:2 Prishtinë, 10000, Kosovë”, saktësohen tutje adresat kryesore të ZRRE-së për komente.