Ismail Dibrani ka njoftuar për përfundimin e angazhimit të tij në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), duke bërë të ditur se karrierën profesionale do ta vazhdojë në një institucion tjetër.
Përmes një postimi lamtumirës, Dibrani ka falënderuar zyrtarët korrektues, stafin civil, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat për bashkëpunimin gjatë periudhës sa ishte në krye të këtij institucioni, transmeton lajmi.net.
Ai ka përmendur disa nga rezultatet e arritura gjatë udhëheqjes së tij, ndër to rekrutimin e mbi 400 zyrtarëve të rinj korrektues, përfshirjen e më shumë se 5 mijë personave të burgosur në programe rehabilituese, avancimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e bazës ligjore të institucionit.
Dibrani ka veçuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Rrjetin Evropian të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (EuroPris), si dhe trajnimet profesionale të zyrtarëve korrektues në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë parandaluar dhe evidentuar rreth 600 raste të kontrabandës në institucionet korrektuese.
Ai ka përmendur gjithashtu vlerësimet ndërkombëtare, duke thënë se në vitin 2025 Shërbimi Korrektues i Kosovës u rendit i pari në botë për kujdesin shëndetësor dhe reformat në programet rehabilituese, ndërsa këtë vit u pozicionua në vendin e katërt në Evropë.
“Jam krenar që po largohem duke lënë pas rezultate konkrete, kapacitete të fuqizuara, bashkëpunime të konsoliduara dhe një institucion që ka dëshmuar se mund të jetë i barabartë me institucionet më të avancuara ndërkombëtare”, ka shkruar Dibrani.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se rezultatet e arritura nuk janë meritë individuale, por fryt i punës së përbashkët të punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të institucionit.
Në fund, Dibrani u ka uruar suksese punonjësve të Shërbimit Korrektues, duke i porositur që të vazhdojnë të ruajnë profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin në punën e tyre.
“Një kapitull përfundon, por misioni vazhdon!”, ka përfunduar ai mesazhin e tij lamtumirës.
Postimi i plotë:
FALËNDERIM DHE MIRËNJOHJE
Pas një periudhe të gjatë shërbimi, përkushtimi dhe përgjegjësie në Shërbimin Korrektues të Kosovës, po përmbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës sime profesionale, për të vazhduar rrugëtimin dhe shërbimin në një institucion tjetër po aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
Largohem nga Shërbimi Korrektues i Kosovës me emocione të veçanta, me krenari për gjithçka që kemi arritur së bashku dhe, mbi të gjitha, me mirënjohje të thellë për secilin që ishte pjesë e këtij rrugëtimi.
Shërbimi Korrektues i Kosovës për mua nuk ishte vetëm një institucion ku shërbeva. Ishte një përgjegjësi, një mision dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime.
Dëshiroj të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë zyrtarët korrektues, stafin civil, udhëheqësit e institucioneve korrektuese dhe secilin punonjës të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ju falënderoj për punën, profesionalizmin, sakrificën, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë tuaj. E di mirë se sa e vështirë është puna që bëni çdo ditë, shpesh larg vëmendjes publike, në kushte dhe rrethana sfiduese. Pikërisht për këtë, kontributi juaj meriton respekt dhe vlerësim të veçantë.
Falënderim i veçantë edhe për të gjitha mediat, gazetarët, redaktorët dhe ekipet e tyre, me të cilët kemi pasur bashkëpunim të vazhdueshëm gjatë gjithë kësaj periudhe. Ju falënderoj për përcjelljen e punës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, për informimin e drejtë të opinionit publik dhe për hapësirën që i keni dhënë rezultateve, sfidave dhe zhvillimeve të institucionit tonë. Vlerësoj profesionalizmin, korrektësinë dhe gatishmërinë tuaj për bashkëpunim, si dhe rolin që keni pasur në promovimin e punës, angazhimit dhe reformave të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Mirënjohës për çdo raportim, komunikim dhe bashkëpunim gjatë këtij rrugëtimi.
Falënderim i veçantë për ish-Ministren e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ministren Gervalla, dhe të gjitha institucionet vendore për mbështetjen dhe bashkëpunimin institucional gjatë këtij rrugëtimi.
Mirënjohje e veçantë edhe për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, EULEX-in, Këshillin e Evropës, OSBE-në, Institucionin e Avokatit të Popullit dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e vendorë, të cilët na qëndruan pranë dhe kontribuuan në zhvillimin, profesionalizimin dhe avancimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Mbështetja, besimi dhe bashkëpunimi juaj ishin thelbësore në realizimin e shumë reformave dhe projekteve që sot janë pjesë e zhvillimit institucional të Shërbimit Korrektues.
Gjatë kësaj periudhe, me punë të përbashkët, përkushtim dhe vizion, kemi realizuar reforma dhe rezultate të rëndësishme, të cilat kanë shënuar një etapë të re në zhvillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Kemi punuar në kompletimin dhe avancimin e infrastrukturës ligjore, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Ligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe hartimit dhe miratimit të afro 30 akteve të tjera nënligjore, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme ligjore për funksionimin dhe zhvillimin e institucionit.
Me përkrahjen e Ambasadës Amerikane, qindra zyrtarë të Shërbimit Korrektues janë trajnuar dhe certifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fusha të ndryshme profesionale.
Krahas kësaj, qindra zyrtarë të tjerë kanë përfituar nga trajnimet dhe programet profesionale të organizuara nga EULEX-i, OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Gjatë kësaj periudhe janë rekrutuar mbi 400 zyrtarë të rinj korrektues, duke fuqizuar kapacitetet njerëzore dhe duke krijuar mundësi për gjenerata të reja profesionistësh në shërbim të sigurisë dhe drejtësisë.
Një nga arritjet më domethënëse është themelimi i Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme humane dhe profesionale, i cili sot përbën shembull jo vetëm për rajonin, por edhe për shumë vende të Evropës.
Ky institucion dëshmon se drejtësia dhe siguria duhet të shoqërohen gjithmonë me humanizëm, dinjitet dhe trajtim të përshtatshëm për secilin person.
Kemi realizuar instalimin e sistemit të videokonferencave në institucionet korrektuese, mbajten e seamcave online dhe duke mundësuar komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e drejtësisë dhe gjykatat përmes rrjetit qeveritar, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Ky sistem ka lehtësuar ndjeshëm proceset e punës, ka reduktuar nevojën për transportimin dhe përcjelljen e personave të burgosur në seanca gjyqësore dhe ka kontribuar në kursimin e resurseve njerëzore dhe financiare.
Pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e objekteve korrektuese janë të vjetra, kemi vazhduar me renovimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike në shumicën e institucioneve korrektuese.
Një nga rezultatet për të cilat ndihem veçanërisht krenar është avancimi i programeve të rehabilitimit dhe risocializimit.
Vetëm gjatë kësaj periudhe, mbi 5000 persona të burgosur janë përfshirë në programe rehabilituese, aktivitete edukative dhe trajnime profesionale, duke krijuar mundësi reale për aftësim, zhvillim personal dhe riintegrim në shoqëri.
Paralelisht, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi me organizata dhe institucione vendore e ndërkombëtare, me synim zgjerimin e mundësive për trajtim, arsimim, aftësim profesional dhe risocializim.
Kemi intensifikuar aktivitetet parandaluese dhe operative kundër kontrabandës në institucionet korrektuese, duke arritur të parandalojmë dhe evidentojmë rreth 600 raste.
Një arritje me rëndësi të veçantë është anëtarësimi i Kosovës në Rrjetin Evropian të Shërbimeve Korrektuese dhe Burgjeve (EuroPris), duke dëshmuar se bashkëpunimi dhe profesionalizmi mund të tejkalojnë edhe kufizimet që rrjedhin nga mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca, seminare dhe punëtori ndërkombëtare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfaqësuar vendin tonë dhe duke prezantuar reformat, përvojat dhe rezultatet e arritura.
Te gjitha këto përpjekje janë reflektuar edhe në vlerësimet ndërkombëtare.
Në vitin 2025, Shërbimi Korrektues i Kosovës u rendit në vendin e parë në botë në vlerësimin për kujdesin shëndetësor dhe reformat në programet rehabilituese, duke u nderuar me Çmimin e Ekselencës Ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Burgjeve.
Ndërsa këtë vit, kemi arritur të pozicionohemi në vendin e katërt në Evropë, në kuadër të vlerësimit nga Rrjeti Evropian i Burgjeve.
Këto vlerësime janë më shumë se çmime. Ato janë dëshmi se puna, përkushtimi dhe reformat e realizuara në Kosovë po vërehen dhe vlerësohen edhe në arenën ndërkombëtare.
Një kapitull përfundon, por misioni vazhdon!
Të gjitha këto arritje nuk janë rezultat i punës së një individi. Ato janë rezultat i angazhimit të shumë njerëzve, i bashkëpunimit institucional, i përkrahjes së partnerëve dhe i besimit në një vizion të përbashkët.
Në këtë rrugëtim kemi pasur sfida, vështirësi dhe momente jo të lehta, por asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga përpjekjet për ta bërë Shërbimin Korrektues të Kosovës më profesional, më modern, më human dhe më të besueshëm.
Jam i vetëdijshëm se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Reformat nuk përfundojnë dhe zhvillimi institucional nuk ndalet. Megjithatë, jam krenar që po largohem duke lënë pas rezultate konkrete, kapacitete të fuqizuara, bashkëpunime të konsoliduara dhe një institucion që ka dëshmuar se mund të jetë i barabartë me institucionet më të avancuara ndërkombëtare.
Nuk po largohem me ndjenjën se po lë pas një vend pune, por me krenarinë se kam qenë pjesë e një misioni që ka ndryshuar dhe avancuar një institucion të rëndësishëm të Republikës së Kosovës.
Shërbimit Korrektues të Kosovës, të gjithë punonjësve të tij dhe gjeneratave që do të vazhdojnë këtë mision, u dëshiroj suksese të vazhdueshme.
Ju ftoj të ruani profesionalizmin, integritetin, solidaritetin dhe përkushtimin ndaj këtij institucioni. Mos harroni asnjëherë se puna juaj nuk matet vetëm me sigurinë që ofroni, por edhe me jetët që ndihmoni të ndryshojnë dhe me mundësitë e reja që krijoni për njerëzit që një ditë do të kthehen në shoqëri.
Faleminderit për besimin, bashkëpunimin, respektin dhe çdo ditë të këtij rrugëtimi.
Ishte nder të shërbeja me ju, krenari të punoja për këtë institucion dhe përgjegjësi që do ta mbaj me vete kudo që do të vazhdoj rrugëtimin tim profesional.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë!/lajmi.net/