Veseli: Të hetohen të gjitha krimet e pasluftës, uzurpimet, reketimet…
Tridhjetë e nëntë deputetë kërkojnë të hetohet SHIK-u, por Veseli kërkon të hetohen krimet dhe jo organizata që kishte dalë nga UÇK-ja.
Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli do ta jepte votën e tij për hetimin e të gjitha krimeve të pasluftës, por jo edhe SHIK-un, që kishte dalë nga UÇK-ja.
Blerim Latifi, këshilltar politik i kryeparlamentarit Veseli, thotë se i pari i Kuvendit konsideron se aktualisht Kosova ka çështje dhe probleme shumë më të rëndësishme për vendin dhe qytetarët që duhen trajtuar.
“Por, së pari duhet të kemi të qartë se askush nuk mund të bëjë hetime politike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mekanizmat e dalë prej saj, sikurse ka qenë mes tjerash edhe Shërbimi Informativ i Kosovës. Në anën tjetër, nëse ata 39 të nënshkruar pajtohen për të hetuar të gjitha vrasjet e pasluftës, pasurimin e paligjshëm, uzurpimet, reketimet, dhe dukuritë tjera të kësaj natyre, kryetari Veseli është i pari që do ta mbështesë një iniciativë të tillë, politikisht dhe me votën e tij individuale”, ka thënë Latifi.