Veseli: Mirëqeverisja e parasë publike, detyrim i yni
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është takuar sot me Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani.
Lajme
Osmani i ka dorëzuar Veselit shtatë raporte të auditimit, të cilat pasqyrojnë aktivitetet financiare të institucioneve me buxhetin e shtetit.
“Sot, pranova shtatë raportet e para të auditimit, nga Auditori i përgjithshëm, z. Osmani. Këto raporte, pasqyrojnë aktivitetet financiare të institucioneve me buxhetin e shtetit, parasë së taksapaguesve të Republikës së Kosovës”, thotë Veseli, transmeton lajmi.net.
Kryeparlamentari Veseli thotë se transparenca është “përgjegjësi dhe mirëqeverisja e parasë publike është detyrim yni, andaj këto raporte duhet t’i nënshtrohen opinionit publik dhe të dihet mënyra e shpenzimit të saj”.
“Ftojmë institucionet gjegjëse që të bëjnë vlerësimin e këtyre raporteve dhe konform të gjeturave të tyre të ndërmarrin veprime ligjore. Ftoj, po ashtu, institucionet që kanë marrë rekomandimet, të zbatojnë rekomandimet e pa realizuara edhe nga viti i shkuar dhe rekomandimet e këtij viti. Auditorit të përgjithshëm i ofrova mbështetje të plotë në realizimin e detyrave ligjore duke qenë i bindur se udhëheqja e këtij institucioni është sfidë që do mbështetjen e të gjitha institucioneve tona”, thotë në fund, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli./lajmi.net