Veseli merr raportin 100 ditësh të Haradinajt, flet për Demarkacionin

Kadri Veseli pranoi raportin e punës 100 ditore të kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai tha se 100 ditët e para të Qeverisë kanë qenë me sfida.

Lajme

20/12/2017 14:56

Veseli e falëndëroi kryeministrin për raportimin e punës së tij, ndërsa tregoi se të njëjtin do ta marrin të gjithë deputetët.

“E falënderoj kryeministrin për këtë gjest. Ky raport qysh sot do t’i dërgohet edhe deputetëve. Është 100 ditë me sfida. Ne do të vazhdojmë në këtë formë kjo është mënyra më e mirë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit nuk ka dashur të tregoj nëse ka arritur që të mbledh vota të mjaftueshme të deputetëve të tij për ta votuar Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend, raporton “Zeri.info”.

Veseli ka thënë se, për çështjen e Demarkacionit do të punohet akoma në këtë drejtim.

“Do të ecim përpara do të gjejmë rrugëzgjidhje, por e rëndësishme për ne është të punojmë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Këto komente Kadri Veseli i bëri gjatë pranimit të raportit të punës 100 ditore të Qeverisë, të cilin ia dorëzoi vet kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.