Veseli: Fillimi i Ri do të mbështesë të gjitha bizneset vendore (Foto)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot disa biznese në Komunën e Mitrovicës për të paraqitur platformën e re Fillimi i Ri dhe reformat e novojshme për zhvillim më të hovshëm ekonomik.
Lajme
Pas vizitave që u bëri fabrikës “Tecno Burimi” dhe asaj “Viprint”, lideri i PDK-së tha se vetëm duke i ndihmuar bizneset vendore dhe sipërmarrësit e rinj inovativ, Kosova mund të arrijë rritjen ekonomike e cila siguron punësim të sigurt për të rinjt dhe gratë.
“Fillimi i Ri është vetëm koncept i zhvillimit ekonomik. Me i përkrahë këta njerëz ndërmarrës të cilët me përkushtimin dhe sakrificën e tyre janë duke bërë punë të jashtëzakonshme për të prodhuar dhe në të njëjtën kohë edhe për të eksportuar”, tha Veseli.
Pasi pa nga afër procesin e prodhimit që bëjnë bizneset prodhuese në Mitrovicë, kryetari i PDK-së u shpreh i bindur se me ndihmë të institucioneve për bizneset vendore, Kosova mund të bëhet vendi më i zhvilluar në rajon.
“E kam thënë dhe po e ripërsëris, po ua jap fjalën, Kosova do të jetë Zvicra e Ballkanit. Fokusi jonë tërësor, i institucioneve tona, do të jetë tek këta ndërmarrës, në përkrahjen e gjithanshme të këtyre ndërmarrësve për fuqizimin e ekonomisë tonë, në veçanti në fushat inovative dhe prodhuese të cilat kanë si përparësi eksportin dhe në të njëjtën kohë kanë përarësi inovacionin dhe integrimin e fuqisë tonë punëtore, njerëzve tanë të rinj dhe grave”, ka thënë Veseli. /Lajmi.net/