Veriu sfidon kushtetutshmërinë e Kosovës

Sipas MAPL, komunat në Veri po sfidojnë kushtetutshmërinë e Kosovës. Ato kanë dërguar ftesa me referenca provokuese për inaugurimin e asambleve komunale. Kjo përbën shkelje të marrëveshjes së Brukselit prandaj është njoftuar edhe BE.

Lajme

19/12/2013 11:00

Ministria e Pushtetit Lokal ka thënë se të zgjedhurit në komunat veriore po sfidojnë kushtetutshmërinë e Kosovës dhe marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Në ftesat për inaugurimin e kuvendeve komunale janë përdorur referenca të Rezolutës 1244, logo të paligjshme dhe emërtime të gabuara.

Zgjedhjet janë mbajtur sipas ligjeve të vendit, por rezultatet e këtyre zgjedhjeve në katër komunat veriore nuk po implementohen sipas ligjeve dhe kushtetutshmërisë së Kosovës. Caktimi i datave të inaugurimeve të Kuvendeve komunale në veri ka treguar se të zgjedhurit në këtë pjesë refuzojnë t’i përgjigjen rregullimeve dhe Kushtetues të Kosovës.

Besnik Osmani, Sekretar i Përhershëm i MAPL

Ftesat për inaugurimet e Kuvendeve komunale jo vetëm që kanë shpërfillur qeverinë e vendit, përkatësisht Ministrinë e Pushtetit Lokal, por janë shfaqur me elemente tërësisht të kundërligjshme. Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal ka thënë se veprimet e të zgjedhurve në veri përbëjnë tërësisht cenim të rendit kushtetues të vendit.

“Përdorimi qëllimisht në mënyrë të gabuar i emrit të Mitrovicës së veriut si Mitrovica e Kosovës, referencat me Rezolutën 12 44 dhe përdorimi i një logoje e paautorizuar me elemente të paligjshme ka bërë që MAPL ta shqyrtoj në mënyrë të veçantë këtë rast dhe të bëjë qartë qëndrimin se kjo prezanton cenim të ligjit dhe si e tillë është e papranueshme”, i ka thënë Osmani për Radio Kosovën.

E njëjta situatë, sipas MAPL, është vërejtur edhe me tri komunat e tjera të veriut të cilat kanë tentuar të bëjnë të njëjtat veprime të kundërligjshme. Por, deri më tani kjo ministri nuk ka sqaruar se si do të veprohet nëse të zgjedhurit në komunat e veriut do të vazhdojnë të shpërfillin ligjet e Kosovës.

“Para se të shkohet tek masa e sanksionimit ne po provojmë të eliminojmë këto probleme, sidomos në rastet e tilla kur organet komunale dështojnë të respektojnë ligjet e vendit. Varësisht nga lloji i shkeljeve, nga pesha e shkeljeve MAPL do të ndërmarr veprimet ligjore”, ka thënë Osmani.

Nga zyra e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian nuk është dhënë ndonjë koment, pas letrës që i ka dërguar mbrëmë udhëheqësja e grupeve punuese në bisedimet në Bruksel, zëvendëskryeministrja e Edita Tahiri, në adresë të baroneshës Catherine Ashton. Ajo që tashmë është konfirmuar është se edhe çështja e konstituimeve të kuvendeve komunale do të jetë teme e bisedimeve në Bruksel.