Veriu mund të shkojë në zgjedhje përsëri

Sazan Ibrahimi nga AKK thotë se statutet e komunave veriore janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe MAPL duhet t’i anulojë këto statute. Sipas tij, Veriu mund të shkojë përsëri në zgjedhje lokale, nëse liderët veriorë nuk ndryshojnë mendje.

Lajme

16/03/2014 19:35

Në rast se nuk bëhet dhe plotësimi dhe korrigjimi i statuteve brenda afatit ligjor, Qeveria e Kosovës do të detyrohet të shpallë zgjedhjet tjera lokale për katër komunat veriore.

Kështu thotë Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në kohën kur autoritetet kosovare theksojnë se statutet e aprovuara të komunave të veriut, janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Në një bisedë për lajmi.net, Ibrahimi thotë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet t’i anulojë këto statute.

“Këto statute të komunave në pjesën veriore të Republikës së Kosovës janë miratuar në kundërshtim me ligjet ekzistuese në Republikën e Kosovës”.

“Edhe pse e kanë miratuar në kundërshtim me ligjin në fuqi, nuk i kanë ndjekur edhe procedurat të cilat janë parapara me ligj për miratimin e një statuti.

“Duhet të ketë debate publike të cilat janë të përcaktuar me ligj për vetëqeverisjen lokale, procedurat të cilat duhet të ndjekjen rreth miratimit të një statuti”.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet patjetër t’i anulojë këto statute. Nuk duhet të bëhen lëshime, siç janë bërë lëshime edhe në të kaluarën, sa i përket diskriminimit pozitiv në ato komuna”.

“Ashtu është e paraparë me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, nëse është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, atëherë nuk ka çfarë tjetër duhet të jepet urdhri nga niveli qendror nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që të kemi zgjedhje tjera lokale”, ka thënë Ibrahimi për lajmi.net.

Megjithatë, Ibrahimi beson se brenda një kohe të shkurtër liderët e serbëve të veriut mund të ndryshojnë mendje.

Katër komunat në Veri të Kosovës kanë miratuar statutet e tyre komunale javën e kaluar.. Përfaqësues e këtyre komunave thonë  se ato e kanë bazën në rezolutën 1244.

Por, këto veprime janë kundërshtuar ashpër nga zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ata thonë se kjo është në kundërshtim e ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Për këtë Ministria e Pushtetit Lokal pritet të dalë nesër me një vlerësim rreth shkeljeve në miratimin e statuteve të katër komunave veriore.