Vendimi i Haxhiut që u shpall i jashtëligjshëm nga Themelorja, la pa noterë 15 komuna për më shumë se 2 vjet
Në shkurt të vitit 2020, përgjatë qeverisë Kurti I, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte marrë vendim për anulimin e konkursit për noterë në Kosovë, ani pse, ishte bërë edhe përzgjedhja e tyre.
Lajme
Pas këtij vendimi të Haxhiut, kanditatët e përzgjedhur për noterë kishin paditur Ministrinë e Drejtësisë me pretendimet se konkursi është anuluar jashtëligjshëm dhe Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë një vendim në favor të tyre, duke konsideruar kështu, se anulimi i konkursit ishte vendim jo i drejtë, shkruan lajmi.net.
Në mars të këtij viti, Departamenti për Çështje Administrative kishte anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë. Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi.
Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
E ky vendim i Haxhiut, kishte lënë pa noterë 15 komuna të Kosovës për më shumë se dy vite. Që nga shkurti i vitit 2020, Kamenica, Obiliqi, Mamusha, Malisheva, Kllokoti, Istogu, Rahoveci, Parteshi, Ranilluku, Juniku, Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku, Hani i Elezit dhe Skenderaj janë pa noterë.
Kjo sipas përgjigjeve të Ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net, të cilët thonë se për këto komuna kanë autorizuar 16 noterë të ofrojnë shërbime noteriale.
Por, vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Ministria e Drejtësisë iu është përgjigjur duke thënë se “janë krijuar rrethana të reja” dhe me kaq e kanë arsyetuar paralajmërimin e një konkursi të ri për noterë, pavarësisht atij vendimi.
Shefi i stafit të ministres Haxhiu, Genc Nimoni ka deklaruar se “vendimet e gjykatës janë të zbatueshme”, por në anën tjetër kanë vendosur që përkundër vendimit të saj, që i favorizon kandidatët e konkursit të kaluar, të paralajmërojnë hapjen e një konkursi të ri për noterë.
“Natyrisht që vendimet e gjykatës janë të zbatueshme, janë krijuar rrethana të reja dhe pas këtij vendimi ne jemi duke u konsultuar për një proces të ri, jemi në proces të krijimit të komisionit për noter dhe do ta themelojmë komisionin, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të vazhdojmë tutje dhe do ta marrim me prioritet këtë… Jemi në proces të konsultimit edhe me ekspertë dhe me gjasë do të ketë konkurs të ri dhe pasi ta kalojnë provimin për noterë do të kemi shumë kandidatë dhe ata kandidatë të cilat do t’i plotësojnë kriteret, sipas legjislacionit në fuqi, edhe do të licencohen si noterë… Gjykata ka vendosur për procesin, ata tashmë do të jenë pjesë e garës, jo garës për konkurs të ri por do të jenë pjesë të garës për licencim, dhe pasi ta kemi përmbylljen e procesit të ri të konkursit ne natyrisht që të gjithë kandidatët, edhe paraprakë, edhe kandidatët e rinj, do të jenë në proces konkurrimi për licencim dhe ata që do të plotësojnë kriteret do të licencohen si noterë”, deklaroi Genc Nimoni për KosovaPress.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili është shprehur se MD-ja e ka neglizhuar këtë proces dhe i ka dhënë monopol noterëve aktual të gjenerojnë qarkullime marramendëse.
“Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta neglizhojë këtë proces duke i dhënë monopol disa noterëve që të kryejnë punën e noterëve dhe të cilët realisht tashmë ju e dini që më shumë se gjysma e komunave në Republikën e Kosovës kanë mbetur pa noterë. Pra, sot për ta kryer një punë tek noteri duhet të presim me orë të tëra… po ruhet monopoli i disa noterëve dhe ata kanë qarkullim marramendës me mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe në anën tjetër ministrja e Drejtësisë po bënë vepër penale duke mos respektuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinë. Prandaj unë mendoj se të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet që të jenë noterë në Republikën e Kosovës që kanë aplikuar edhe në konkursin që është hapur edhe në atë kohë sa kam qenë ministër për vendet e lira të noterëve nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë kallëzim penal ministres së Drejtësisë për faktin se ajo nuk e respekton një të drejtë të tyre ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi ai.
Edhe më keq se kjo, këshilltari i lartë i Haxhiut në prononcimin për media s’ia ka pasur idenë as sa është numri i komunave që janë pa noterë. Përkundër përgjigjeve të siguruara nga lajmi.net për numrin e saktë, ai ka thënë se sipas informacioneve të tij “janë diku 11 komuna”, pa noterë!

Pavarësisht që është paralajmëruar konkurs i ri, sipas deklarimit të Genc Nimonit, procesi është ende në fazën e konsultimeve me ekspertë dhe nuk dihet nëse kandidatët e konkursit paraprak do të vazhdojnë ndjekjen penale të kësaj çështje edhe në shkallë tjera të gjykatave. /Lajmi.net/