Të gatshëm të hapin konkurs, por Ministria e Albulena Haxhiut s’ia ka idenë sa komuna janë pa noterë

Janë shprehur të gatshëm për konkurs për noterë. Nga Ministria e Drejtësisë kanë deklaruar se pas konsultimit me ekspertë, me gjasë do të ketë konkurs të ri për noterë, por nga kjo ministri nuk ia kanë idenë sa komuna janë pa noterë.

Lajme

14/05/2022 23:04

Këshilltari i Lartë dhe shefi i stafit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, Genc Nimoni, është shprehur se në bazë të informacioneve që posedojnë “janë diku 11 komuna pa noterë”, shkruan lajmi.net.

“Në bazë të informacioneve që kemi janë diku 11 komuna pa noterë, mirëpo ne po shikojmë edhe mundësinë e zëvendësimit e transferimit për aq sa e lejon legjislacioni në fuqi dhe do të veprojmë kështu derisa të kemi noterë të rinj të licencuar”, theksoi ai.

Mirëpo, ndryshe thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net gjatë javës së kaluar. Në përgjigjen e MD-së numërohen plot 15 komuna të cilat aktualisht nuk kanë noterë, por funksionojnë me persona të autorizuar për noteri nga ministria përkatëse.

E ky konkurs i paralajmëruar nga Ministria e Drejtësisë bie edhe në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Themelore që iu kishte dhënë të drejtë personave të përzgjedhur në konkursin që e kishte anuluar ministrja Haxhiu gjatë qeverisë Kurti I.

Lidhur me këtë çështje, Nimoni ka deklauar se “vendimet e gjykatës janë të zbatueshme”, por që sipas tij “janë krijuar rrethana të reja”.

“Natyrisht që vendimet e gjykatës janë të zbatueshme, janë krijuar rrethana të reja dhe pas këtij vendimi ne jemi duke u konsultuar për një proces të ri, jemi në proces të krijimit të komisionit për noter dhe do ta themelojmë komisionin, do të konsultohemi me ekspertë dhe do të vazhdojmë tutje dhe do ta marrim me prioritet këtë… Jemi në proces të konsultimit edhe me ekspertë dhe me gjasë do të ketë konkurs të ri dhe pasi ta kalojnë provimin për noterë do të kemi shumë kandidatë dhe ata kandidatë të cilat do t’i plotësojnë kriteret, sipas legjislacionit në fuqi, edhe do të licencohen si noterë… Gjykata ka vendosur për procesin, ata tashmë do të jenë pjesë e garës, jo garës për konkurs të ri por do të jenë pjesë të garës për licencim, dhe pasi ta kemi përmbylljen e procesit të ri të konkursit ne natyrisht që të gjithë kandidatët, edhe paraprakë, edhe kandidatët e rinj, do të jenë në proces konkurrimi për licencim dhe ata që do të plotësojnë kriteret do të licencohen si noterë“, tha ai.

Lidhur me këtë konkurs është deklaruar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ka bërë thirrje tek kandidatët për noterë të konkursit të kaluar që të bëjnë kallëzim penal ndaj MD-së.

Tahiri ka deklaruar se po ruhet monopoli i noterëve aktual dhe se të njëjtit kanë qarkullime marramendëse, por qytetarët presin me orë të tëra për të kryer punë te noteri.

“Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta neglizhojë këtë proces duke i dhënë monopol disa noterëve që të kryejnë punën e noterëve dhe të cilët realisht tashmë ju e dini që më shumë se gjysma e komunave në Republikën e Kosovës kanë mbetur pa noterë. Pra, sot për ta kryer një punë tek noteri duhet të presim me orë të tëra… po ruhet monopoli i disa noterëve dhe ata kanë qarkullim marramendës me mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë dhe në anën tjetër ministrja e Drejtësisë po bënë vepër penale duke mos respektuar një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinë. Prandaj unë mendoj se të gjithë ata kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet që të jenë noterë në Republikën e Kosovës që kanë aplikuar edhe në konkursin që është hapur edhe në atë kohë sa kam qenë ministër për vendet e lira të noterëve nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë kallëzim penal ministres së Drejtësisë për faktin se ajo nuk e respekton një të drejtë të tyre ligjore dhe kushtetuese”, theksoi ish-ministri i Drejtësisë.

Vlen të theksohet gjithashtu fakti se në 15 komunat të cilat nuk kanë noterë, MD-ja ka autorizuar vetëm 16 persona për t’i kryer punët e noterisë. /Lajmi.net/