ShBA-ja i vendos sanksione të reja Iranit pas sulmeve ndaj anijeve
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të premten i vendosi sanksione të reja Teheranit pas sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit më herët këtë javë. Sanksionet janë masat më të reja në një varg veprimesh hakmarrëse nga Shtëpia e Bardhë për këto sulme. Ato vijnë në kohën kur administrata amerikane po synon…
Bota
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, të premten i vendosi sanksione të reja Teheranit pas sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit më herët këtë javë.
Sanksionet janë masat më të reja në një varg veprimesh hakmarrëse nga Shtëpia e Bardhë për këto sulme. Ato vijnë në kohën kur administrata amerikane po synon që ta shtojë presionin ndaj regjimit iranian, përderisa përpjekjet diplomatike po ngecin.
Shtetet e Bashkuara më herët këtë javë kryen bombardime ndaj caqeve iraniane dhe shfuqizuan një licensë me të cilën Iranit i mundësohej shitja e naftës pa sanksione, raporton televizioni CNN.
Të premten, presidenti Trump përsëri deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit ShBA – Iran ka marrë fund, por shtoi se bisedimet me Teheranin do të vazhdojnë.
Në shënjestër të sanksioneve të reja është Ali Ansari, për të cilin Departamenti i Thesarit tha se “mbikëqyr një rrjet të gjerë global të aseteve në dobi të liderit të Iranit, Mojtaba Khamenei, dhe pjesës tjetër të elitës së regjimit”.
Sanksionet e reja gjithashtu godasin “shtëpi kyçe iraniane të këmbimit që qarkullojnë miliarda dollarë në vit në emër të bankave të sanksionuara iraniane”, thuhet në njoftim.