Vendime të dëmshme, ama të dobishme
Njësoj si për Manastirin e Deçanit, Albin Kurti nesër do të arsyetohet edhe për themelimin e Asociacionit. Pra, do të vazhdojë ta cilësojë të dëmshëm – ama do ta zbatojë. Sshkruan: Imer Mushkolaj Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm të mërkurën, teksa ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës…
Opinion
Njësoj si për Manastirin e Deçanit, Albin Kurti nesër do të arsyetohet edhe për themelimin e Asociacionit. Pra, do të vazhdojë ta cilësojë të dëmshëm – ama do ta zbatojë.
Sshkruan: Imer Mushkolaj
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm të mërkurën, teksa ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e Manastirit të Deçanit mbi pronën prej 24 hektarësh. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranim në Këshillin e Europës. Sipas tij, dy vitet fundit të gjitha institucionet nuk kanë lënë gur pa lëvizur e takime pa zhvilluar lidhur me procesin e anëtarësimit në KE dhe se Kosovës i është bërë e qartë se kushti rreth zbatimit të vendimit të gjykatës nuk do të hiqet. Kurti, po ashtu, ka thënë se Qeveria ka qenë para dy opsioneve: të plotësojë këtë kusht që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës apo të ngelë pa u anëtarësuar. Sipas tij, vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”. Kryeministri ka theksuar se vendimin vazhdon ta cilësojë të dëmshëm, por ka shtuar se pranimi në KE do të ishte fitore historike. “Vendim i vështirë, por i nevojshëm”, ka komentuar, ndërkohë, emisari amerikan Gabriel Escobar.
Në këtë mënyrë, Kurti ka vepruar siç nuk kanë bërë paraardhësit e tij në postin e kryeministrit, edhe pse që nga viti 2016 të gjithë e kanë ditur që vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet.
Sa ka qenë në opozitë, Kurti dhe partia e tij e kanë kundërshtuar dhënien e tokës manastirit, siç kanë kundërshtuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje edhe kur erdhi në pushtet, Kurti thoshte se vendimet që janë marrë nga regjimi i Milosheviqit nuk duhet të pranoheshin si qeverisje të zakonshme demokratike. “Ne kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit, të cilat për bindjen time, çuditërisht janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo nëpër fazat e zakonshme, sikurse tjerat”, deklaronte ai.
Sipas Kurtit, për Manastirin e Deçanit ka nevojë të ketë dialog. “Për Manastirin e Deçanit kemi nevojë për dialog, në mënyrë që ta trajtojmë këtë brengë të tyre. Nuk duam t’i dominojmë, nuk dëshirojmë t’i cënojmë, por në të njëjtën kohë besoj që duhet të hasim më në fund në mirëkuptimin e tyre që vendimet e Milosheviqit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”.
Sidoqoftë, dialog për këtë çështje nuk ka pasur dhe, nëse flitet me gjuhën e Kurtit, vendimet e Milosheviqit po vazhdojnë të jetojnë në këtë shekull.
* * *
I ngjashëm me Manastirin e Deçanit është edhe rasti i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sa ishte në opozitë, Albin Kurti dhe Vetëvendosja vazhdimisht e kanë kundërshtuar atë, madje duke organizuar edhe aksione e protesta. Tash në pushtet, Kurti ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, si dhe draft statutin për Asociacionin të propozuar nga Bashkimi Europian.
Pavarësisht deklarimeve publike kundër këtij mekanizmi, dokumentet tregojnë tjetër gjë. Pra, Kurti diçka tjetër ka thënë, e diçka tjetër ka vepruar. Njësoj si për Manastirin e Deçanit, ai nesër do të arsyetohet edhe për themelimin e Asociacionit. Pra, do të vazhdojë ta cilësojë të dëmshëm – ama do ta zbatojë.
Në fakt, gjithë politika kosovare e ka pasur të qartë se ka marrë përgjegjësi që ta themelojë Asociacionin. Është gjë tjetër se çfarë formash kanë zgjedhur që ta kundërshtojnë atë, me qëllim përfitimi partiak.
Marrëveshja për Asociacionin është votuar në Kuvend, andaj është obligative. Siç është obligativ vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit. Që të dyja nuk ka çare pa u zbatuar dhe kushdo që thotë ndryshe, thjesht mashtron.
E Albin Kurti ka mashtruar vazhdimisht – që kur thoshte se nuk do të pranojë fare dialog me Serbinë, deri tek Asocoiacioni e manastiri. Sipas gjuhës së tij, ai ka pranuar një vendim të Milosheviqit. Me të njëjtën gjuhë, ai nesër do ta pranojë edhe Asociacionin e dëmshëm e të rrezikshëm. Dhe do të dalë të thotë “nuk patëm çare”. Megjithatë, askush nuk e ka shtyrë me zor të mashtrojë e të thotë “s’do t’i zbatojmë kurrë”.