Aleanca nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit, Gjini: Nuk duam të legjitimojmë shkeljen e Kushtetutës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit. Vendimi është bërë i ditur nga kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë. Gjini tha se qëndrimi është mbështetur nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës. Sipas tij, pjesëmarrja në…
Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit. Vendimi është bërë i ditur nga kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
Gjini tha se qëndrimi është mbështetur nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë së Aleancës. Sipas tij, pjesëmarrja në seancë do të nënkuptonte legjitimimin e një situate që, siç pretendon ai, është në kundërshtim me Kushtetutën, transmeton lajmi.net.
“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha Gjini.
Kreu i AAK-së e konsideroi gjendjen aktuale institucionale si të papajtueshme me normën kushtetuese. Ai tha se, sipas interpretimit të Aleancës, afatet kushtetuese janë tejkaluar dhe se situata nuk mund të vazhdojë në këtë formë.
“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.
Ai pati kritika edhe për mënyrën e thirrjes së seancave të Kuvendit, duke pretenduar se ato janë organizuar në kundërshtim me afatet që, sipas tij, kanë qenë në fuqi.
“E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve.”
Gjini tha se Aleanca nuk e sheh vendimin për të mos marrë pjesë në seancë si një bojkot të zakonshëm politik, por si një qëndrim ndaj mënyrës se si, sipas tij, po trajtohen institucionet dhe Kushtetuta.
“Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, tha tutje ai.
Sipas Gjinit, AAK-ja kishte pasur gatishmëri që të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej brenda afatit që partia e konsideron të vlefshëm.
“Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.
Në fund, Gjini paralajmëroi se Aleanca do të kërkojë koordinim edhe me partitë e tjera opozitare për ta dërguar çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini./lajmi.net/