Vazhdon aksioni në Lazarat, 35 arrestime

Policia shqiptare deri më tani ka arrestuar 35 persona në fshatin Lazarat. Sot u arrestua një trafikant droge i cili ishte në kërkim dhe kishte qenë i dënuar me 5 vite burg.

Lajme

29/06/2014 18:54

Policia shqiptare ka vijuar edhe sot aksionin në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, me ç’rast është arrestuar një 26 vjeçar i njohur si Belul Toto, i cili ka qenë person në kërkim dhe i dënuar me 5 vite burg për trafik droge.

Me këtë arrestim të fundit, numri i të ndaluarve gjithsej, që prej nisjes së aksionit në Lazarat, ka shkuar në 35 vetë, raporton Top Channel.

Vetëm gjatë së shtunës policia në Lazarat ka gjetur edhe gati 2 tonelata të tjera hashash, të fshehura nëpër banesat e fshatit. Gjithashtu janë gjetur edhe armë e municione, vaj hashashi dhe disa kilogramë farë të së njëjtës bimë, ndërsa kontrollet shtëpi më shtëpi vazhdojnë.

Ndërkohë, po gjatë ditës së shtunë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, që bashkë me katër të arrestuar një ditë më parë, 3 prej të cilëve femra të akuzuara për kultivim hashashi, e çojnë në 34 totalin e personave të shoqëruar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në total që nga nisja e aksionit policia ka gjetur 64.5 tonë hashash, 133 mijë rrënjë kanabis, 5 kilogramë heroinë dhe 403 armë të llojeve të ndryshme, raporton TCH.