Ushtria e Kosovës, ne dhe Perëndimi

Nuk po i bëjmë Forcat e armatosura vetëm për vete. Këto forca janë garanci për stabilitetin e Kosovës dhe për sigurinë në rajon. Me këto Forca, Kosova do të bëhet shtet anëtar i Paktit NATO.

Opinion

13/12/2018 15:36

A duhet ta ketë Kosova Ushtrinë e vet, si shtet i pavarur që është?

Nuk ka kurfarë dyshimi cila është përgjigjja në këtë pyetje. Për më shumë, kjo  (Ushtria e Kosovës, apo, Forcat e Armatosura të Kosovës), në rastin tonë, është fund e krye një krijesë e Misionit të KFOR-it/ Aleancës Veri-Atlantike, që do të thotë se është një vlerë e përbashkët e Kosovës dhe e Perëndimit.

Kosova si shtet i pavarur, dhe ky është një tjetër mendim dhe qëndrim i përbashkët i Prishtinës, Washingtonit, Berlinit, Parisit, Londrës, Romës dhe i të gjitha kryeqendrave të tjera relevante të Perëndimit, meriton të jetë shtet anëtar i OKB-së, më pas, i Paktit NATO, i BE-së, i të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Ndryshe, as që do të bëhej Kosova ndonjëherë shtet, për të qenë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj.

Por, siç e dimë të gjithë ne dhe shtetet më të mëdha Perëndimore që gjithmonë e kanë përkrahur këtë shtet, Kosova, që ka hyrë pak muaj më parë në decenien e dytë të ekzistencës së vet, ende nuk është stabilizuar, as brenda vetes  (gjendja e njohur në Veri të vendit), dhe as në rrafshin ndërkombëtarë.

Mbase, askush, as këtu ndër ne dhe as në Perëndim, nuk ka mundur të parasheh, atje në janarin, shkurtin e vitit 2008, pak para se të mblidhej Kuvendi i Kosovës për ta shpallur pavarësinë, që rrëfimi për shtetin e Kosovës do të jetë kaq i rëndë, kaq i ndërlikuar dhe për më shumë, ende i parrumbullakësuar.

Të jemi të qartë: Shteti i Kosovës do të ekzistojë përjetë e mot. Dihet çfarë i ka paraprirë krejt lindjes së tij, apo, çfarë është historia e të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për tu bërë të lirë dhe për të vendosur vet për fatin e tyre.

Ky shtet është fati i tyre përfundimtar.

Megjithatë, ne si shtetas të tij, dhe vetë ky shtet, ende nuk gjetëm qetësinë e sigurisë afatgjatë të Kosovës. Nuk është që edhe vet nuk i kemi kontribuar ngjarjeve dhe zhvillimeve të cilat e kanë mëdyshur stabilitetin e këtij shteti. Megjithatë, janë shumë faktorë të tjerë, jashtë dhe përtej nesh, të cilët u bënë dhe janë sot e kësaj dite sebep që Kosova nuk po i arrinë caqet dhe rezultatet të cilat pothuaj secili shtet i ri i ka bë pa ndonjë tronditje të madhe.

Nuk jemi rehatuar ende pra, si shtet, si qytetarë të Kosovës, si shqiptarë të shtetit të Kosovës.

Por, në anën tjetër, kjo është një rrugë njëkahëshe. Nuk ka kthim prapa. Nuk ka zbrapsje. Nuk ka pendim. E kemi detyrim ndaj këtij shteti, ndaj gjeneratave që do të vinë, që ta përmbyllim rrëfimin për shtetin e Kosovës, sa më parë që është e mundur, duke marrë atë ‘certifikatën’ finale kur flamuri i ynë do të valvitet në East River  (selinë e OKB-së), pastaj, në Paktin NATO, në BE, kudo.

Poashtu, kurrë nuk duhet të harrojmë që këtë qëllim, i cili është i bëshëm, i arritshëm, mund ta jetësojmë ashtu siç i kemi realizuar disa caqe objektivisht më të rënda, kur është kërkuar edhe sakrifica e njerëzve tonë më të mirë: Apo, kur Kosova u çlirua, më pas, edhe kur u bë shtet.

Pra, këtë mund ta bëjmë vetëm me atë dyzimin e vullnetin dhe organizimit tonë, tash e gati 11 vjet si shtet, me SHBA-në, BE-në dhe shtetet më të mëdha të Perëndimit.

E drejta jonë për të qenë të lirë, për të vendosur për veten, në aspektin kohor, siç e dimë të gjithë, ka qenë shumë e vjetër, apo, ajo ka lindë në vitin 1912, kur Kosova nuk mbeti me Shqipërinë.

Kjo e drejtë, në sendërtimin e saj, kërkoi flijimin e brezave të tërë, e qindra mijëra shqiptarëve që dhanë gjithçka për Kosovën. Por, mbi të gjitha, u bë falë partneritetit të Kosovës me Perëndimin.

Në këtë kontekst, nuk ka fare dyshim që marrja e mandatit të ri të FSK-së, atij të Forcave të mirëfillta të armatosura, është rezultat i këtij partneriteti.

Ne nuk po i bëjmë Forcat e armatosura vetëm për vete, si një element shumë të rëndësishëm të shtetit. Këto forca janë një garanci shtesë për stabilitetin e këtij shteti. Por ato janë kontribues edhe për sigurinë në rajon. Dhe gjithsesi, me këto Forca, Kosova do të ia mësyjë për tu bërë shtet anëtar i Paktit NATO. /Lajmi.net/