Urime … edhe për tu zgjuar nga gjumi!

Muhamet Mustafa Dita e Flamurit na përkujton një rrugë të vështirë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Kjo patjetër e përfshin edhe rrugëtimin e Kosovës. Na përkujton edhe viset në shtetet e tjera me shumicë autoktone shqiptare, ende me probleme për të siguruar një status që do të përgjigjej ndaj të drejtave të tyre me…

Opinion

28/11/2025 09:38

Muhamet Mustafa

Dita e Flamurit na përkujton një rrugë të vështirë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Kjo patjetër e përfshin edhe rrugëtimin e Kosovës. Na përkujton edhe viset në shtetet e tjera me shumicë autoktone shqiptare, ende me probleme për të siguruar një status që do të përgjigjej ndaj të drejtave të tyre me standarde ndërkombëtare. Ndonëse, përjashto Luginën e Preshevës, në viset e tjera u arritën disa përmirësime në dekadat e fundit.

Pa dyshim, Shqipëria në NATO dhe me perspektivë të prekshme për t’u integruar në BE, si dhe Kosova e pavarur, janë arritje të mëdha në sendërtimin e vizionit të mendjeve të ndritura që organizuan Lidhjen e Prizrenit, shpallën pavarësinë në Vlorë dhe prin në procesin e vështirë të pavarësimit të Kosovës.

Elita intelektuale i artikuloi përpjekjet përgjithshme që sollën deri te këto arritje. Por, ku është sot elita intelektuale dhe cili është ndikimi i saj në rrjedhat shoqërore dhe për drejtimin që duhet të marrë përparimi ekonomik e social i ndikuar nga Revolucioni Industrial 4.0 dhe tanimë në fillimet e Revolucionit 5.0. Duket se ajo vet është e tërhequr, e spostuar edhe me fajin e saj e edhe me qeveritë që kanë neglizhuar kërkesat e kohës në të cilën jetojmë. Vetëm disa fakte nga një studim i OECD 2025:

– Shqipëria e dhe Kosova kanë neglizhuar më të madhe mbështetjen e kërkimeve shkencore për zhvillim dhe inovacione duke ndarë për këtë vetën 0.4 përqind, përkatësisht 0.2 përqind të PVB-së (GDP) për këtë destinim. Kjo përbën vetëm katër përqind në rastin e Kosovës dhe tetë përqind ne rastin e Shqipërisë të mesatares evropiane (rajoni i Ballkanit Perëndimor – 17 përqind; Serbia – 40 përqind );

– Për rrjedhojë, produktiviteti i punës i matur me vlerën e një orë pune në dollarë është afro 18 dollarë në Shqipëri, 27 dollarë në Kosovë dhe 69 dollarë në BE;

– Një rangim sipas metodologjisë së Forumit Botëror Ekonomik të Davosit (WEF), del se midis 142 vendeve të përfshira, Shqipëria është në vendin 110, ndërsa Kosova në atë 128 – sipas aftësisë për inovacion.

Nëse kjo situatë shumë brengosëse nuk ndryshohet rrënjësisht, perspektiva jonë nuk duket mirë.

Është bërë e vështirë të jesh shqiptar dhe të ballafaqohesh me këto të dhëna në tubime shkencore rajonale e evropiane. Për habi, qarqet qeveritare nuk brengosen për këtë, por aq më keq elita intelektuale sikur nuk e merr këtë situate edhe si faj e përgjegjësi edhe të vet asaj! Tash është vonë, por mund bëhet tepër vonë nëse nuk zgjohemi nga kjo lloj indiference.