Uran Ismaili: Qeverisja e Përparim Ramës është vetëm akuza, arsyetime dhe ankesa

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka kritikuar kryetarin aktual Përparim Rama, duke thënë se stili i qeverisjes së tij është reduktuar në “akuza, arsyetime dhe ankesa”. Ai tha se Rama kishte marrë besimin e qytetarëve me premtime të mëdha dhe futuristike – si ridefinimi i qendrës, nënkalimet e mbikalimet, parkingjet e shumta dhe…

Lajme

04/09/2025 21:45

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka kritikuar kryetarin aktual Përparim Rama, duke thënë se stili i qeverisjes së tij është reduktuar në “akuza, arsyetime dhe ankesa”.

Ai tha se Rama kishte marrë besimin e qytetarëve me premtime të mëdha dhe futuristike – si ridefinimi i qendrës, nënkalimet e mbikalimet, parkingjet e shumta dhe madje edhe ishujt në Aktash – por që asnjë prej tyre nuk është realizuar. Sipas tij, performanca e deritanishme e Ramës është larg zotimeve të dhëna dhe pritshmërive që qytetarët kanë pasur për të.

“Kur e mban përgjegjës për mosarritjet, ai ose akuzon, ose arsyetohet, ose ankohet,” u shpreh Ismaili në Debat Plus.

Ai po ashtu foli për menaxhimin financiar të Prishtinës, si qyteti me buxhetin më të madh në Kosovë. Sipas tij, Zyra e Auditorit ka ngritur disa flamuj të kuq sa i përket përdorimi të parasë publike në Komunën e Prishtinës, ku janë shpërndarë miliona euro jashtë procedurave.

“Raporti i auditimit është pasqyrë e qeverisjes. Më vjen keq që Prishtina është në këtë gjendje. Unë për këtë garoj, sepse kemi shumë potencial, talent dhe aftësi për ta kthyer këtë buxhet në të mirë të qytetarëve,” tha Ismaili, duke theksuar se Prishtinës meriton më mirë dhe duhet t’i rikthehet dinjiteti.