UP paralajmëron: Hera e fundit që do të ketë afat të prillit
Vendimi i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të lejuar dy provime në afatin e jashtëzakonshëm të prillit, nuk është marrë si pasojë e presionit të krijuar nga protestat e studentëve.

Lajme
Kështu thotë këshilltari i rektorit të UP-së, Durim Berisha, i cili paralajmëron studentët se kjo është hera e fundit që do të lejohet që studentët t’iu nënshtrohen provimeve në prill, pasi që kjo gjë është në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë.
“Konsideroj të sqaroj se këto vendime nuk janë marrë për shkak të presionit për shkak se presioni nuk ka qenë i atij niveli. Numri i protestuesve studentë ka qenë i vogël”.
“Konsideroj që vendimi më i rëndësishëm që është marrë është që të jetë hera e fundit që do të procedohet një kërkesë që bie ndesh me Ligjin për Arsimin e Lartë.
“Është marrë vendim që afat i prillit të jetë afat i jashtëzakonshëm dhe studentët të kenë mundësi t’iu nënshtrohen dy provimeve”, tha Berisha në Interaktiv të KTV-së.
Berisha tregoi se rektori Ramadan Zejnullahu sot gjithashtu ka marrë vendim që gjatë afatit të prillit do të ndërpritet procesi mësimor, i cili më pas do të kompensohet duke e zgjatur semestrin.
“Rektori ka marrë vendim që në afatin e provimit të ketë shkëputje nga procesi mësimor, pra të mos ketë ligjërata deri më 11 prill, në mënyrë që studentët të jenë të koncentruar në përgatitje të provimeve. Këto ligjërata do të kompensohen me zgjatjen e orarit mësimor”, tha ai.
“Kjo është një praktikë që është instaluar që nga pas lufta. Konsideroj që është e rëndësishme ta rikthesoj se kjo do të jetë hera e fundit që do të ndodhë kjo gjë, që të shkelet ligji”, transmeton Lajmi.net.