UNMIK’u është destruktiv

Ministri Dardan Gashi e ka shfryrë mllefin në UNMIK’un gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me Përfaqësuesin e UNDP’së në Kosovë, Andrew Russell, i cili ka ardhur në fillim të kësaj jave në këtë post.

Lajme

21/10/2013 15:42

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, i ka bërë thirrje sot Misionit të OKB’së në Kosovë (UNMIK) që të heqë dorë nga ajo që ai e ka quajtur “qasje destruktive” ndaj Kosovës.

Sipas Ministrit Gashi, UNMIK është ai që po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në shumë konventa ndërkombëtare.

Gashi e ka shfryrë mllefin në UNMIK’un gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me Përfaqësuesin e UNDP’së në Kosovë, Andrew Russell, i cili ka ardhur në fillim të kësaj jave në këtë post.

“Përveç bllokimit të drejtpërdrejtë në anëtarësim në këto konventa, UNMIK po e bllokon edhe pjesëmarrjen e delegacioneve nga shteti i Kosovës në konferenca ndërkombëtare, duke kushtëzuar pjesëmarrjen me përfaqësimin nën ombrellën e Rezolutës 1244”.

“Për këtë arsye, MMPH ka refuzuar ftesat për shumë konferenca të rëndësishme botërore në fushën e mjedisit, kështu duke mbetura prapa vendeve të rajonit në përpilimin e strategjive”, ka thënë Gashi, duke shtuar se pas njohjes nga 105 shtete anëtare të OKB, shteti i Kosovës meriton një trajtim më konstruktiv.

Në komunikatën e MMPH’së thuhet se Ministri Gashi e ka njoftuar shefin e UNDP’së edhe rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes që i ka dhënë UNDP Kosovës, në rrafshin e mbrojtjes së mjedisit, zonimit të parqeve kombëtare dhe asistencës së dhënë në implementimin e ligjeve për zonat e veçanta të mbrojtura.

Përfaqësuesi nga UNDP, Andrew Russell, nga ana e tij, u shpreh se pas ardhjes së tij në Kosovë, e ka kuptuar më mirë pozitën e Kosovës, duke shtuar se “nuk është aspak e drejtë që për arsye të një procesi të vazhdueshëm politik, Kosova të mos mund të ketë qasje të barabartë në programet e OKB”.

Ai tha se në fushën e mjedisit duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse rajonale e botërore dhe premtoi ndihmën nga organizata që ai përfaqëson në lehtësimin e anëtarësimit dhe pjesëmarrjes së Kosovës në konventat e OKB.