Ukrainë, Donjeck i rrethuar nga forcat ukrainase

Të paktën një person është vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur gjatë natës së kaluar në qytetin Donjeck, në Ukrainën lindore, nga predhat e artilerisë së forcave qeveritare. 

Bota

10/08/2014 15:16

Si njofton agjencia amerikane e lajmeve AP, shtabi ukrainas për operacione kundër terroriste tha se po vijon ofensiva për të ngushtuar rrethin rreth Donjeckut.

Ministria e Brendshme e Ukrainës tha se së paku dy ushtarë janë vrarë sot në qytetin lindor Illovaisk, derisa kanë vazhduar luftimet ndërmjet forcave të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë.

Kjo dhunë u bë një ditë pasi separatistët pro-rusë thanë se janë të gatshëm për armëpushim për ta parandaluar “katastrofën humanitare”.

Por, zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Andrij Lisenko sot e ka hedhur poshtë këtë thirrje për armëpushim, duke thënë se kjo mund të bëhet vetëm atëherë kur kryengritësit t’i ulin armët e tyre dhe të dorëzohen, dhe ka theksuar se nisma duhet të “kryhet nga veprimet praktike e jo me fjalë”.