Uka është i pafajshëm, pozicioni i LDK-së karshi këtij rasti nuk ka arsyetim!

Teuta Rugova, vajza e ish-presidentit Ibrahim Rugova, është e gatshme t’i bëj ballë çfarëdo presioni që mund të paraqitet në jetën politike.

Lajme

02/07/2014 13:30

Teuta, e cila ka fituar mandatin e deputetes në zgjedhjet e fundit dhe është në grupin e 10 politikanëve më të votuar në Kosovë, ka thënë e ka pritur votën e qytetarëve.

“Fakti që jam e bija e Presidentit Rugova, themeluesit te LDK-së dhe shtetit të Kosovës,nga elektorati i LDK-së ka qenë e ditur që do të më presin mirë, pasi që vepra e babait ka lënë gjurmë në këtë vend për sa gjatë të ekzistojmë si shtet”, ka thënë Teuta në një intervistë për Express.

“Mirëpo, arsye tjetër është vullneti dhe energjia që kam për të punuar për këtë vend, përkatësisht për rininë e Kosovës që e kam cekur edhe nëpër shumë tubime që kam pasur nëpër qytete të Kosovës. Sa herë që do të jetë nevoja e duhur unë do t’i mbroj të drejtat e qytetarëve të vendit dhe vetë të mirën e Kosovës”.

Teuta po ashtu ka thënë se LDK ende nuk është kuruar nga humbja e themeluesit të partisë, Ibrahim Rugova.

Sidoqoftë, ajo ka thënë se vepra e Rugovës do të mbajë gjallë LDK-në edhe për njëqind vitet e ardhshme.

E bija e ish-presidentit ka thënë po ashtu se udhëheqësi i ardhshëm i LDK-së duhet të jetë me moral të fortë, përgjegjësi të lartë dhe me aftësi të kuptimit të nevojave të popullit të vet.

Për vëllanë që po mbahet në paraburgim, Ukë Rugova, ka thënë se është i pafajshëm ndërsa pozicioni i LDK-së karshi këtij rasti s’ka arsyetim.

Intervistën e plotë të deputetes së re të LDK-së, Teuta Rugova, mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm:

http://www.gazetaexpress.com/intervista/interviste-me-teuta-rugoven-ldkne-do-te-mbaje-gjalle-fryma-e-rugoves-edhe-per-100-vjet-26002/