U shpall kampion ballkanik, Cena: Disiplina dhe fokusi janë çelësi i suksesit

Xhudisti nga Kosova, Dardan Cena është shpallur kampion i Ballkanit në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua fundjavën e kaluar në Pejë. Cena triumfoi ndaj të gjithë rivalëve të tij në kategorinë deri në 73 kilogram, duke treguar kështu fuqinë dhe potencialin e madh që ka për të ardhmen e tij në sportin e xhudos. Për…

Sport

21/09/2025 14:20

Xhudisti nga Kosova, Dardan Cena është shpallur kampion i Ballkanit në Kampionatin Ballkanik që u zhvillua fundjavën e kaluar në Pejë. Cena triumfoi ndaj të gjithë rivalëve të tij në kategorinë deri në 73 kilogram, duke treguar kështu fuqinë dhe potencialin e madh që ka për të ardhmen e tij në sportin e xhudos.

Për ta arritur një sukses të tillë, Cena thotë për KosovaPress, se ushtron tre herë në ditë për përkushtim maksimal dhe se ia doli të triumfojë edhe për kundër rivalëve shumë të fortë që i kishte në rrugën drejt medaljes së artë në këtë kampionat.

“Normalisht ne ushtrojmë tre herë në ditë dhe jemi gjithmonë të përgatitur pavarësisht kohës edhe kemi ushtruar shumë jo vetëm për Kampionatin Ballkanik por edhe për garat tjera që na presin në të ardhmen. Edhe besoj që kjo performanca e Kampionatit Ballkanik do të vazhdojë edhe në garat tjera. Normalisht nuk ka rival të dobët, ka qenë konkurrenca mjaftë e fortë por kemi arritur që t’i mposhtim gjithashtu kundërshtarët tjerë dhe të dal rezultati i kënaqur për të gjithë, jo vetëm për mua”, theksoi Cena.

Në suksesin e tij, Cena thotë se meritat kryesore shkojnë për trajnerët Driton Kuka, Majlinda Kelmendi dhe trajnerë të tjerë.

“Unë kam pasur biseda gjithmonë para luftës, pas luftës, gjatë luftës me trajnerin Tonin, Majlindën, Fatosin dhe të gjithë trajnerët që kanë qenë aty të pranishëm, do të thotë nuk ka munguar asgjë brenda në sallë aty, kam qenë i përmbushur si me taktikë, si me forcë, si me gjithçka duke iu falënderuar trajnerëve. Puna ime kryesore është me Tonin (Driton Kuka), ajo është puna e gjithkujt, por pastaj kemi edhe ndihmës-trajnerët si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Fatos Tabaku e të tjerë.“, vijon tutje Cema.

Përtej Ballkanikut, Cena thotë se në të ardhmen synon që trofe të tjerë edhe në garat që vijnë, derisa shton se sporti i xhudos tashmë i është bërë mënyrë jetese e përditshme.

“Synimet janë të mos ndalem, të vazhdojë kështu në çdo lloj gare edhe të jap maksimumin nga vetja që ta bëjë krenar trajnerin, klubin dhe të gjithë ata që na përkrahin…Gjithçka që duhet është disiplina dhe fokusi, të tjerat nuk janë problem. Ne punojmë në bazë të programit të trajnerit dhe nuk kemi asnjëherë probleme as për stërvitje as për asgjë. Do të thotë na u ka bërë pjesë e jetës xhudos, ushtrime gjumë, ushtrime gjumë dhe kjo është e gjitha për ne”, bëri të ditur Cena.

Ai foli edhe për kritikat që trajneri Driton Kuka ka për xhudistët e rinj që, sipas tij, janë më shumë të fokusuar në rrjete sociale se sa në punë dhe stërvitje sportive.

“Unë nuk besoj që trajneri ynë flet pa ditur diçka, ai sigurisht që din diçka që neve na pengon kjo edhe unë pajtohem me të që është e vërtetë se rrjetet sociale po na e marrin kohën por do t’i inkurajoja të gjithë sportistët e rinj që të merren me sport dhe jo me rrjete sociale”, theksoi Cena.

Në fund, Cena tha se në të ardhmen, ai synon që te jetë pjesë e Lojërave Olimpike dhe të fitojë medalje atje.

Ndryshe, Kosova shkëlqeu në Kampionatin Ballkanik me gjashtë medalje të arta, gjashtë të argjendta dhe një medalje të bronztë.