“U krye” – Ja kush është deputeti që mbrëmë njoftoi Albin Kurtin se Bedri Hamza pranon ofertën që Justina Shiroka-Pula të jetë presidente

Pas disa muajve me jo-stabilitet institucional nga zgjedhjet e fundit, Kosova që mbrëmë tanimë ka institucionet e vendit të përmbushura. Kjo pasi është arritur edhe zgjedhja e presidentes së re të vendit, e kësisoj është shmangur edhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe pse me disa minuta kalim të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese,…

Lajme

07/10/2026 10:24

Pas disa muajve me jo-stabilitet institucional nga zgjedhjet e fundit, Kosova që mbrëmë tanimë ka institucionet e vendit të përmbushura.

Kjo pasi është arritur edhe zgjedhja e presidentes së re të vendit, e kësisoj është shmangur edhe shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Edhe pse me disa minuta kalim të afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës arritën që të zgjedhin Justina Shiroka Pulën si presidente të Kosovës.

Kjo erdhi pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, ditën e djeshme propozoi fillimisht sërish Bekim Sejdiun për President, por që i njëjti më pas deklaroi se ai ishte tërhequr dhe kandidimi i tij nuk është i vlefshëm. Kësisoj marrëveshja që Kurti kishte arritur me Lumir Abdixhikun, Vjosa Osmanin dhe disa nga deputetët e LDK-së ra përfundimisht.

E kësisoj fokusi u kthye tek Partia Demokratike e Kosovës, të cilët kërkesë patën që fillimisht të miratohej në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara.

Kurti doli sërish me një propozim të ri në konferencë për media, ku tha që të votohet ligji për Specialen dhe kandidatët si Glauk Konjufca ose Feride Rushiti. Hamza refuzoi edhe një herë këtë propozim e tha se të dy janë shumë partiak, apo shumë Vetëvendosje.

E rreth orës 23:00 kur edhe po afronte ora e fundit e afatit për të zgjedhur presidenten, Albin Kurti propozoi që të miratohej Ligji për Specialen e këtu vendosi edhe emrin e Justina Shiroka-Pulës apo kryetares së ASHAK-ut për presidente.

Madje Kurti tha se i mbetet Bedri Hamzës që ta bind atë, pasi e njëjta ishte pjesë e qeverisë Thaçi 1 dhe bashkëpunëtore e PDK-së ndër vite.

Por çka ndodhi tutje?

Nëpër koridoret e Kuvendit të Kosovës po silleshin disa prej deputetëve, por vendimi nuk ishte marrë ende.

Derisa mediat po kontaktonin në vazhdimësi kandidaten, kjo e fundit deklaronte se kishte mysafir dhe se për këtë çështje duhet të flasë me njerëzit adekuat.

Por pak minuta më vonë Partia Demokratike e Kosovës vendosi që t’i thotë PO këtij propozimi.

Është pikërisht kryetari i PDK-së, Bedri Hamza që në korridorin e zyrës së PDK-së në Kuvend të Kosovës takoi deputetin e Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, të cilit edhe ia dha sinjalin e parë mbi këtë marrëveshje.

Hamza ftoi Bahtirin dhe i tha që t’i njoftoj Vetëvendosjen dhe Kurtin se po nisen për në konferencë që t’i thonë publikisht kësaj oferte.

Ishte pikërisht Agim Bahtiri që më pas në derën e Vetëvendosje u tha shkurtimisht “ U KRYE”. Vetëvendosje e pritën mjaftë mirë këtë marrëveshje dhe duke mos humbur kohë pas konferencës që Hamza pati ku edhe njoftoi për pajtueshmërinë dhe vendosi Eliza Hoxhën si kundërkandidate, Albulena Haxhiu u angazhua që menjëherë të mbahet seanca e jashtëzakonshme.

Shumë prej deputetëve që nuk ishin të pranishëm erdhën me vrap në Kuvend dhe votuan fillimisht për Ligjin e Dhomave të Specializuara. E aty nuk ishin deputetët e Listës Serbe dhe disa prej deputetëve të LDK-së.

Nga LDK-ja pati pak deputetë të pranishëm, e të njëjtit më pas qëndruan edhe kur u votua presidentja e Kosovës.

Kësisoj nga sot Kosova ka institucione të rregullta, si dhe presidentja dha betimin e saj për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve./Lajmi.net/