U gërrye që nga 2024-ta, ende e pa shtruar – Një segment i magjistrales së vjetër në Vushtrri plot me gropa
Plot gropa është mbushur segmenti afër një-kilometërsh i magjistrales së vjetër nga rreth-rrotullimi në dalje të qytetit të Vushtrrisë deri tek tjetri që e lidhë me rrugën e re nacionale. Për të shmangur dëmtimin e automjeteve shoferët jo-rrallë detyrohen të vozisin pjesërisht në shiritin e kundërt qarkullues apo edhe skajeve të rrugës. Kjo pjesë e…
Lajme
Plot gropa është mbushur segmenti afër një-kilometërsh i magjistrales së vjetër nga rreth-rrotullimi në dalje të qytetit të Vushtrrisë deri tek tjetri që e lidhë me rrugën e re nacionale.
Për të shmangur dëmtimin e automjeteve shoferët jo-rrallë detyrohen të vozisin pjesërisht në shiritin e kundërt qarkullues apo edhe skajeve të rrugës.
Kjo pjesë e rrugës në dalje të Vushtrrisë kah Prishtina, e cila lidhet me rrugën e re nacionale Mitrovicë – Prishtinë, ishte gërryer në Maj të vitit 2024 dhe që atëherë gjendja e saj vetëm sa është përkeqësuar duke e vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Pasi tregoi se kjo rrugë është në përgjegjësinë e Ministrisë së Infrastrukturës, kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi tha nuk kanë informacione zyrtare.
“Me të vërtetë është në gjendje shumë të dëmtuar ajo rrugë, dhe këtë gjendje po e paguajnë qytetarët e Vushtrrisë tash më së shumti, pasi që ajo pjesa e autostradës është rregulluar dhe (qytetarët) të Mitrovicës po e shfrytëzojnë atë pjesë… E di që njëherë ka qenë në tenderim prej që është gërryer, por më nuk kam informata tash do të kërkojë një takim të shpejtë me ministrin e sapo-zgjedhur sepse një kohë ka qenë vakum gjatë kohës së fushatës”, ka theksuar Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë për RTV Dukagjini.
Madje, kryetari Idrizi tha se ka afër një vit prej kur i kanë kërkuar nivelit qendror që rrugën e vjetër magjistrale në tërësi – nga hyrja kah Prishtina, qytetit e deri në vijë me komunën e Mitrovicës – t’ia kalojë në përgjegjësi komunës.
“Në i kemi bërë kërkesë zyrtare të na e japin krejt atë pjesë, jo vetëm këtë aksin që është i dëmtuar, por deri Smrekonica, për shkak se tash kjo ka mbetur rrugë lokale. Dhe, të njëjtën situatë e kemi edhe me semaforat, në rrugën 2 Maji dhe në udhëkryqin e rrugës Bekim Berisha, nuk funksionojnë, unë kam kërkesa të shpeshta prej qytetarëve”, ka deklaruar Idrizi.
Megjithatë, komuna nuk ka marrë ende përgjigje në këtë kërkesë.
Ministria e Infrastrukturës, e as ministri i ri Dimal Basha, nuk u përgjigjën në pyetjet e televizionit lidhur me këtë gjendjen dhe planet për këtë segment të rrugës.