Turqi, nga sektori publik pezullohen 2.756 nëpunës, kthehen dhjetëra të tjera
Dekreti është shpallur në edicionin e Gazetës Zyrtare të Republikës së Turqisë, ndërsa ka të bëjë me masat e shqiptuara për personat lidhur me organizata terroriste
Bota
Qeveria e Republikës së Turqisë miratoi një dekret me forcën e ligjit, i cili largoi 2.756 nëpunës publik nga sektori publik, raporton Anadolu Agency (AA).
Dekreti është shpallur në edicionin e sotëm të Gazetës Zyrtare të Republikës së Turqisë, ndërsa ka të bëjë me masat e shqiptuara për personat lidhur me organizata terroriste ose aktivitete që paraqesin rrezik mbi sigurinë kombëtare.
Në mesin e nëpunësve të pezulluar nga sektori publik janë 637 ushtarë, 360 pjesëtarë të xhandarmërisë, 61 policë dhe katër pjesëtarë të rojës bregdetare. Edhe 341 nëpunës u shkarkuan nga administrata qeveritare e punëve fetare.
Me dekretin është urdhëruar që 115 të pezulluar më herët të kthehen në punët e shërbimit publik meqë janë liruar nga akuzat.
Paralelisht me këtë, me dekret janë mbyllur edhe 17 institucione të cilat janë vlerësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare. Në mesin e institucioneve të mbyllura janë shtatë shoqata dhe fondacione, dy gazeta dhe një institucion shëndetësor.