Turqi dhe SHBA-të në aksion: Vrasin 50 pjesëtarë të IS-it

Forcat ajrore të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një aksion të përbashkët, duke bombarduar pozicionet e pjesëtarëve të Shtetit Islamik në Siri. Agjencitë e lajmeve raportuan për dhjetëra xhihadistë të vrarë dhe të plagosur.

Bota

01/11/2015 16:22

Si rezultat i sulmeve ajrore, të ndërmarra nga aeroplanët luftarak të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri, janë vrarë së paku 50 pjesëtarë të Shtetit Islamik, ndërsa mbi 30 të tjerë janë plagosur.

Në sulmet ajrore u përfshinë gjashtë aeroplanë luftarak të Turqisë si dhe një fluturake pa pilot, që i takon koalicionit ndërkombëtar, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë këtij operacioni janë shkatërruar tetë shënjestra të Shtetit Islamik, në një hapësirë që shtrihet pesë kilometra në thellësi të territorit të Sirisë, në afërsi të provincës turke, Kilis.

Operacioni është mbështetur edhe nga forcat turkmene, të angazhuara në terren në Siri./Anadolu Agency